Mbi një vit pas njoftimit se kanë filluar punimet për largimin e shtyllës elektrike të linjës së tensionit të lartë në rrugën e Transitit të ri, Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur se po vijojnë përgatitjet në këtë drejtim.
Në njoftimin e fundit të Komunës së Prizrenit për këtë çështje thuhet se kjo shtyllë shkakton pengesa për trafikun rrugor.
“Po vazhdojnë përgatitjet për largimin e shtyllës elektrike të linjës së tensionit të lartë në rrugën e Transitit të ri, e cila ka shkaktuar pengesa për ngasësit e automjeteve”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Aty sqarohet se tashmë është e gatshme edhe hapësira ku do të vendoset shtylla e re.
Në të njëjtën kohë është theksuar se veprime të ngjashme do të realizohen edhe në pjesë tjera të qytetit.
“Ky aksion do të përfshijë gjithashtu disa zona të tjera të qytetit me këtë problematikë, për ta ngritur nivelin e sigurisë në trafik”, thuhet në njoftim.
Në janar të vitit 2024, Komuna e Prizrenit pat njoftuar se kanë filluar punimet për largimin e kësaj shtylle, dhe se është bërë furnizimi me kabllo dhe shtyllë mbajtëse metalike që do të vendosen jashtë rrugës kryesore. Punimet sipas atij njoftimi parashihej të përfundonin gjatë javës së parë të muajit shkurt të vitit 2024, me qëllim të shtimit të sigurisë në trafik.
Projekti për ndërtimin e rrugës së Transitit të ri nga Komuna e Prizrenit pat filluar në vitin 2013, dhe ajo ishte lëshuar për qarkullim në vitin 2015, ani pse nuk ishte funksionalizuar në tërësi për shkak të një prone, që nuk ishte shpronësuar. Por në shkurt të vitit 2023, organet komunale pas zbatimit të procedurave ligjore patën rrënuar shtëpinë në këtë pjesë, për ta funksionalizuar qarkullimin e automjeteve. /Telegrafi/