Telegrafi

Një traget u përfshi nga zjarri në Bangladesh – humbin jetën të paktën 37 persona dhe rreth 100 të tjerë pësuan lëndime

Të paktën 37 persona humbën jetën dhe rreth 100 të tjerë pësuan lëndime pasi një traget i mbushur u përfshi nga zjarri në jug të Bangladeshit, thonë zyrtarët lokalë.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, zjarri në anijen me tre kuvertë filloi në mes të lumit pranë qytetit të Jhalakathi derisa lundronte nga kryeqyteti Dhaka për në qytetin e Barguna.

Disa prej viktimave u mbytën pasi u hodhën në ujë.

Numri i viktimave në incidentin e së premtes ka gjasa të rritet pasi shumë nga pasagjerët kanë djegie të rënda.

Në bordin e anijes thuhet se ishin rreth 500 persona.

Zjarri besohet se ka filluar në dhomën e motorit dhe është përhapur shpejt derisa trageti udhëtoi përgjatë lumit Sugandha në orët e para, tha zyrtari i shërbimit të zjarrfikësve, Kamal Hossain Bhuiyan.

Mësohet se zjarri ka vazhduar për orë të tëra. /Telegrafi/