Telegrafi

Një tifoz i Fulhamit ndërroi jetë pasi u rrëzua gjatë ndeshjes ndaj Blackpool në Craven Cottage

Paul Parish, një tifoz i Fulhamit, ka ndërruar jetë pasi u rrëzua gjatë ndeshjes së Championship kundër Blackpool të shtunën pasdite.

Ndeshja u shty për disa minuta në pjesën e parë pas një urgjence mjekësore brenda stadiumit Craven Cottage.

Lojtarët nga të dyja palët u larguan nga fusha dhe u kthyen në zhveshtore me urdhër të gjyqtarit Peter Bankes.

Parish pësoi një atak në zemër sa ishte duke shikuar ndeshjen në tribunë. Ai u vendos në barelë dhe u dërgua me urgjencë në spital.

Më pas loja rifilloi dhe do përfundoi me rezultat të barabartë 1-1.

Tani është konfirmuar nga Fulhami se tifozi fatkeqësisht ka ndërruar jetë.

“Me pikëllim të jashtëzakonshëm informojmë tifozët për ndarjen nga jeta të mbështetësit, Paul Parish”, thuhet fillimisht në deklaratën e Fulhamit.

“Paul pësoi një arrest kardiak dhe mori trajtim në tribunën e Hammersmith në ndeshjen e sotme pasdite përpara se të transferohej në spital. Ai fatkeqësisht ndërroi jetë këtë mbrëmje”.

“Ngushëllimet tona dhe mendimet e të gjithëve në Klubin e Futbollit Fulham shkojnë për familjen, miqtë dhe të dashurit e Paul”, mbyllet deklarata e klubit anglez. /Telegrafi/