Site icon Telegrafi

Një tempull mahnitës i ëndrrave të martesës (Plani detaj)

I ndërtuar në formën të reve, Cloud of Luster në qytetin japonez Himeji është një vend ideal për ata që duan të fillojnë një nga ditët më të rëndësishme të jetës së tyre në një vend mahnitës dhe unik

Tempulli përfaqëson mishërimin e ditës së martesës: shkëlqimi dhe magjepsja, gëzimi dhe qetësia, ëndrrat dhe shpresat paraqiten nëpërmjet formës imagjinative të kapelës, transparencës, lehtësisë dhe reflektimit, transmeton Telegrafi.

Ky objekt i ri futurist mbulon një sipërfaqe prej 245 metrash katrorë dhe është pjesë e sallës ceremoniale të dasmave “La-Vienne” në ishullin Honshu. Dizajni i tij është firmosur nga kompania “KTX archiLAB”.

Tempulli është i rrethuar nga uji, gjë që krijon iluzionin se ndërtesa pluskon butësisht nëpër sipërfaqen e tij. Reflektimi i ujit rrit më tej përshtypjen e lehtësisë dhe prezanton një dimension të ri në mjedis.

Shtigjet dredha-dredha të çojnë në objektin kryesor, i cili është tërësisht i rrethuar me panele qelqi që ndjekin formën e lakuar dhe sjellin dritë nga të gjitha drejtimet. Ka vetëm një hapësirë të vogël ku ndodhen organot e strehuara nga një mur i bardhë i lakuar.

Në Japoni ka një emër të veçantë për shtegun që të çon në altar, dhe ai është “shtegu i virgjër”. Shtegu në kapelën “Cloud of Luster” është bërë nga panele xhami me dritë të pasme, dhe pjesa tjetër e dyshemesë është bërë nga rrëshirë dhe topa xhami që shkëlqejnë në dritë.

Planimetria përbëhet nga rrathë të lidhur me një diametër prej pesë metrash. Linjat e lakuara janë të pranishme kudo, nga baza e ndërtesës deri te shtyllat mbajtëse që shkrihen butësisht në çati.

Të njëjtat shtylla shtrihen përgjatë shtegut që të çon në kapelë, duke krijuar një mjedis harmonik.

Të gjitha pajisjet teknike janë vendosur në dysheme për të mos prishur lehtësinë dhe ajrosjen e objektit. Dritat e vëmendjes në dysheme janë rregulluar rreth shtyllave për të theksuar pamjen e pazakontë të tavanit.

Plani

/Telegrafi/

Exit mobile version