Teatri i Qytetit të Gjilanit do të mirëpresë në skenën e tij komedinë e suksesshme të Teatrit ODA, “Shef Lumturimi”, e cila do të shfaqet sonte, më 11 shkurt, duke filluar nga ora 20:00.
Kjo shfaqje trajton me sarkazëm një nga dilemat më të mëdha të kohës moderne – mitin e migrimit drejt vendeve perëndimore, veçanërisht Gjermanisë, si një tokë e premtuar për një jetë më të mirë.
Publiku do të ndjekë historinë e Lumturimit, një punëtor autolarjeje, i cili vendos të ndryshojë rrënjësisht jetën e tij duke u bërë “Shef Lumturimi” në Gjermani.
Autor i tekstit është Lirak Çelaj, ndërsa regjia është e Florent Mehmetit. Roli i personazheve realizohet nga aktorët, përfshirë Arbit Zymerin, Besart Sllamnikun, Florieta Bajraktarin, Lirak Çelajn dhe Nëntor Fetiun.
Për të gjithë të apasionuarit pas teatrit dhe komedisë, “Shef Lumturimi” premton një mbrëmje të mbushur me humor, reflektim dhe një interpretim të jashtëzakonshëm skenik. /Telegrafi/