Ministria e Punëve të Jashtme të Francës njoftoi sot se në mesin e viktimave të sulmit në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd është edhe një nxënës i nacionalitetit francez.
“Me pikëllim mësuam për sulmin e armatosur që ndodhi në shkollën “Vladislav Ribnikar” në Beograd, mëngjesin e 3 majit, i cili shkaktoi një numër të madh viktimash në mesin e nxënësve dhe mësuesve, përfshirë një nxënës të nacionalitetit francez”, thuhet në njoftimin në ueb-faqen e ministrisë.
Tetë fëmijë dhe një roje u vranë mëngjesin e sotëm në një sulm të armatosur nga një nxënës trembëdhjetë vjeçar në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në qendër të Beogradit. Gjashtë nxënës dhe një mësues u plagosën ndërsa sulmuesi u arrestua.
“Shërbimet tona dhe ambasada jonë në Beograd janë mobilizuar për të ofruar të gjithë mbështetjen e tyre për familjen e bashkatdhetarit tonë të ri. Mendojmë edhe për familjet e viktimave, të cilëve u shprehim ngushëllimet tona më të thella, si dhe për shumë të lënduar, të cilëve u urojmë shërim të shpejtë”, thuhet në deklaratë.
Franca shpreh solidaritetin e plotë me popullin dhe autoritetet serbe, deklaroi diplomacia franceze.
Në faqen e ambasadës franceze në Serbi është publikuar një deklaratë e shkurtër e ministrisë serbe, ku nuk thuhet se në mesin e viktimave është edhe një vajzë franceze.
Gazeta franceze 20 minutes raportoi gjithashtu se mes viktimave ishte edhe një nxënëse franceze.
Gazeta ka raportuar deklaratat e zyrtarëve serbë ndërsa ka shtuar se ky lloj sulmi është jashtëzakonisht i rrallë në vendet e Ballkanit. /Telegrafi/