Site icon Telegrafi

Një nga sulmuesit më të mirë të Ligës Premier e ka pranuar se ka luajtur mbi 200 baste

Sulmuesi i njohur i Brentfordit, Ivan Toney, është deklaruar fajtor për shumicën dërrmuese të 232 shkeljeve të basteve që do të thotë se ai do të përballet me një dënim të rëndë nga futbolli anglez.

Toney, i cili konsiderohet si një nga sulmuesit më të mirë në futbollin anglez dhe aktualisht është golashënuesi i tretë më i mirë i ligës me 14 gola, u përball me 232 akuza për thyerje të rregullave të basteve në Ligën Premier në nëntor.

Shoqata e Futbollit të Anglisë (FA) zbuloi se Toney u akuzua për shkelje të rregullit E8, i cili mbulon periudhën nga 25 shkurt 2017 deri më 23 janar 2021, dhe lidhet me bastet, pavarësisht se ishte një futbollist profesionist.

Ai u la jashtë skuadrës së Anglisë për Kupën e Botës. Edhe pse asnjëherë nuk u konfirmua si arsye, procesi me shumë gjasa ndikoi që Gareth Southgate të mos merrte një nga sulmuesit më të mirë të Anglisë në Kupën e Botës në Katar.

Lexo po ashtu Skandali në Angli, Ivan Toney akuzohet se ka vendosur në 232 raste baste – mund të dënohet rëndë nga FA

Toney tani është deklaruar fajtor për shumicën dërrmuese të këtyre akuzave, ndërsa ka kundërshtuar disa prej tyre. Pas një seance dëgjimore para FA, ai pritet të marrë një ndalim dhe pezullim të rëndë, duke filluar para fundit të sezonit aktual.

Kjo do të thotë se përveç mungesës së Brentfordit në fund të sezonit në futbollin anglez, ai nuk do të mund të jetë në listën e kombëtares as në kualifikueset për Kampionatin Evropian të vitit 2024. /Telegrafi/

Exit mobile version