Telegrafi

Një mbrojtës i djathtë nga kategoria e tretë në Spanjë, po udhëheq listën e golashënuesve në Kupën e Kombeve të Afrikës

Pas 10 ditësh e 28 ndeshjeve, Kupa e Kombeve të Afrikës 2023, që po mbahet në Bregun e Fildishtë, ka prodhuar 78 gola, në një mesatare prej 2.29 gola për ndeshje, teksa golashënuesi më i mirë mbetet Emilio Nsue nga Guinea Ekuatoriale.

Nsue, i cili luan për ekipin e kategorisë së tretë të futbollit spanjoll, CF Inter City, është surpriza më e madhe e këtij turneu, pasi po udhëheq listën e golashënuesve me pesë gola.

Emilio Nsue, pas het-trikut të tij ndaj Guinea Bissaut të enjten, shënoi një dopietë ndaj Bregut të Fildishtë të hënën, për ta çuar në pesë numrin e golave në këtë garë.

34-vjeçari i cili me pozitë natyrale është mbrojtës i djathtë, ka kaluar në një rol më sulmues në Kupën e Kombeve të Afrikës dhe tani befasisht po kryeson listën duke lënë prapa vetes yje të futbollit botëror si Victor Osimhen, Mohamed Salah, Sadio Mane dhe Vincent Aboubakar, i cili shënoi tetë gola në edicionin e kaluar të Kupës së Kombeve që u mbajt në Kamerun.

Pas Nsues, i dyti në listë renditet Baghdad Bounedjah i Algjerisë dhe top treshen e kompleton Mostafa Mohamed i Egjiptit, me nga tre gola secili.

Lexo po ashtu Ndodh një gjë e rrallë për Kupën e Kombeve të Afrikës - një sulmues shënon het-trik, i pesti në histori të kësaj gare

Victor Osimhen, Sadio Mane dhe Mohamed Salah, të cilët supozohej të kishin fjalën kryesore në këtë kompeticion, kanë secili nga një gol të shënuar pas dhjetë ditësh që prej nisjes së këtij kompeticioni.

Vlen të theksohet se ai het-trik i shënuar nga Nsue, ishte i pari në Kupën e Kombeve të Afrikës që nga viti 2008. Lojtari i fundit që kishte shënuar më parë një het-trik në këtë garë, ishte algjeriani Soufiane Alloudi ndaj Namibisë./Telegrafi/