Site icon Telegrafi

Një kombëtare, një kampionat – PSE?

Janë shumë pyetje që janë shtruar në këtë debat të gjerë, por pos pyetjeve është më se e nevojshme identifikimi i problemeve dhe gjasave që një gjë e tillë të ndodhë.

Ideja

Klubi më i madh kosovar, F.C. Prishtina, kishte dorëzuar kërkesën pranë Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për t’iu bashkuar kampionatit shqiptar, ajo dhe një klub tjetër i fuqishëm kosovar, në gjendje për të përballuar shpenzimet dhe impenjimin e nevojshëm për të garuar në një kampionat më të fuqishëm.

Si argument kryesor është marrë prespektiva e futbollit shqiptar, që sa do që do të mendonim, do të ishte më i fuqishëm në rast se në një kampionat do të konkurronin tri-katër top ekipe nga një komb prej 7 milionë individësh. Tjetër është dhe aspekti financiar, sponsorshipi dhe interesi që mund të ketë F.C. Prishtina, si palë që bëri kërkesën. Pos tjerash, synohet që me bashkimin e dy Superligave (të Kosovës dhe Shqipërisë) të synohet dhe garimi në një kombëtare edhe pse në mënyrë administrative shqiptarët bëjnë dy shtete të ndara.

Dobitë dhe dobësitë

Dobia kryesore e kësaj ideje qëndron në atë se do të kompletohej fotografia e futbollist shqiptare – një punim mjaft i fuqishëm, i fortë, i gatshëm për të konkurruar me kolosët e futbollit evropian. Por, për këtë duhet punë. Me formimin e një kampionati të përbashkët, do të mblidheshin futbollistët më të cilësor të trojeve, ku do të formoheshin rivalitete të jashtëzakonshme me tifozeri super të organizuara që do të mbushnin stadiumet tona në nivelet e larta të futbollit evropian. Kështu, automatikisht rritet konkurrenca me ç’rast rritet dhe cilësia, e në të njëjtin moment gjasat për pjesëmarrje në garat evropiane.

Dobësia kryesore në këtë iniciativë? Sigurisht, plani për kosovarët mund të mos ketë fare dobësi, por vetëm përparësi, por për shqiptarët e Shqipërisë është ndryshe. Në të njëjtin moment për ta shtohet një rival, i cili sado i fuqishëm, ose i pa fuqishëm mund të jetë, do të krijonte mjaft telashe për komoditetin e disa individëve të caktuar, që bëjnë pjesë në shtresën e përmendur më lart, që janë kundër kësaj iniciative. Një udhëtim tre-katër orësh drejt Prishtinës për të zhvilluar një takim me një ekip të pa përshtatshëm në një tifozeri prej përmasave që paramendohet deri në 25 mijë shikues, nuk i konvenon sigurisht asnjë klubi të Superligës Shqiptare. Sidoqoftë, gjithçka është në interes kombëtar.

Aspekti ekonomik

Ndër arsyet kryesore pse F.C. Prishtina ka bërë një propozim të tillë të jashtëzakonshëm qëndron në faktin se klubi kosovar do të përfitonte shumë nga një inkuadrim i mundshëm në Superligën Shqiptare. Më tepër sponzorë, dyfishim i kontratave aktuale dhe më shumë të ardhura për F.C. Prishtinën do të sillte një inkuadrim në Superligën Shqiptare.

E njëjta vlen edhe për klubet nga Shqipëria. Me këtë rast do të rritej bashkëpunimi kombëtar dhe do të ishte një shtytje relative ekonomike, pasi do të tërhiqeshin sponsorë nga Kosova. Të mos harrojmë po ashtu se Superliga Shqiptare transmetohet paralel me kampionatet më të mëdha botërore në platformën televizive SuperSport.

Problemi politik

Ekziston një ngërç i madh politik që ideja të realizohet. Institucionet si të Republikës Shqiptare ashtu dhe të Republikës së Kosovës nuk kanë bërë ndonjë prononcim sa i përket debatit në fjalë, por një gjë dihet – mungon vullneti i pastër politik. Kjo për shkak se vet shqiptarët, një shtresë e caktuar, nuk janë të interesuar të kenë një kampionat të përbashkët, e si shkas kryesor do të mund të merrej dhe mos antarësimi dhe OKB dhe më pas mos antarësimi në UEFA. Gjasat, sidoqoftë ekzistojnë për një krijim të kampionatit të përbashkët, por duhet vullnet shum i madh politik…pasi siç thotë një fjalë e urtë: “Vullneti mund të çajë dhe malet”.

Gjasat?

Në një të ardhme, gjasat që kjo do të ndodhë janë tepër të vogla. Kjo për shkak të nenit 79 në statutin e FIFA-s, që nuk lejon bashkimin e federatave apo të kampionateve, nëse njëra prej tyre nuk është e antarësuar në rastin tonë në UEFA, e kjo vjen pas antarësimit në OKB. Që këto rrethana të përmbushen duhet të kalojnë katër deri në pesë vjet, e kjo periudhë kohore është shumë e gjatë.

Sidoqoftë, është edhe neni 80 në statutin e FIFA-s që lejon klubet e caktuara, që me kërkesë të veçantë, të bëjnë gara në një kampionat tjetër, por vetëm nëse kjo kërkesë pranohet nga, në këtë rast Superliga Shqiptare. Gjasat nuk janë dhe aq të vogla, por jo dhe aq premtuese. Të mos harrojmë se që proceset e tilla të kenë sukses në rastet tjera kanë marrë me dekada kohë. Dhe, po ashtu të mos harrojmë se ekziston edhe rreziku i precedenteve që mund të krijohen nga krahina dhe shtetet e vogla evropiane dhe botërore.

Një gjë është e sigurtë – dëshira ekziston që të krijohet një kampionat kombëtar dhe një përfaqësuese e vetme në futboll, por kjo nuk mjafton – duhet vendim marrje e shpejtë dhe vullnet i madh politik. /Telegrafi/

Exit mobile version