Site icon Telegrafi

Një japonez ka qenë “në pritje të ekzekutimit” që nga viti 1968 – tani ai është shpallur i pafajshëm

Një japonez është shpallur i pafajshëm për vrasje të shumta, në një gjyq të ndjekur nga afër që ka ngritur pikëpyetje rreth përdorimit të dënimit me vdekje nga Japonia.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Iwao Hakamada, 88 vjeç, u dënua me varje në vitin 1968 pasi u shpall fajtor për vrasjen e shefit të tij, gruas së tij dhe dy fëmijëve të tyre adoleshentë, dhe vënien e zjarrit në shtëpinë e tyre dy vjet më parë.

Ish-boksieri profesionist kaloi 46 vjet “duke pritur dënimin me vdekje” – që besohet të jetë koha më e gjatë e kaluar në dënim të tillë nga çdo i burgosur në mbarë botën.

Siç vënë në pah mediat, pavarësisht dënimit me vdekje, Hakamada nuk u ekzekutua për shkak të apelimeve të gjata dhe procesit të rigjykimit.

Iwao Hakamada (në mes) hyn në Gjykatën e Lartë të Tokios në 2023, i shoqëruar nga motra e tij Hideko Hakamada

Atij iu dha lirimi i përkohshëm në vitin 2014 pasi provat e reja të ADN-së hodhën dyshime serioze mbi besueshmërinë e dënimit të tij.

Hakamada ka protestuar vazhdimisht për pafajësinë e tij dhe tha se hetuesit e detyruan të rrëfehej, ndërsa avokatët e tij pretenduan se policia kishte fabrikuar prova.

Kryetari i trupit gjykues në gjykatën e qarkut Shizuoka, Koshi Kunii, pranoi se ishin fabrikuar tri prova, duke përfshirë “rrëfimin” e Hakamada dhe veshjet që prokurorët pretenduan se ai kishte veshur në kohën e vrasjeve.

Ndërkohë, motra e tij 91-vjeçare, Hideko Hakamada, e cila ka bërë fushatë pa u lodhur në emër të vëllait të saj, u tha gazetarëve përpara vendimit të së enjtes: “Për kaq shumë kohë kemi luftuar një betejë që është ndjerë e pafund. Por këtë herë besoj se do të zgjidhet”.

Hakamada, shëndeti fizik dhe mendor i të cilit u përkeqësua gjatë burgimit të tij të gjatë, nuk ishte i pranishëm në vendimin e së enjtes dhe është përfaqësuar nga motra e tij gjatë rigjykimit.

Hakamata u arrestua më 18 gusht 1966, kur ishte 30 vjeç.

Gjykata e lartë fillimisht kishte vendosur të mos rihapte çështjen e Hakamada – një shkak i famshëm për kundërshtarët e dënimit me vdekje – por e ndryshoi vendimin e saj pasi gjykata supreme e urdhëroi atë të rishqyrtohej në vitin 2020.

Qindra njerëz ishin vendosur në radhë jashtë gjykatës së qarkut të enjten me shpresën për të siguruar një vend, ndërsa mbështetësit mbanin pankarta që kërkonin lirimin e Hakamada.

Të dënuarit me vdekje në Japoni – një nga vetëm dy vendet e G7 së bashku me SHBA-në që ruan dënimin me vdekje – njoftohen për ekzekutimin e tyre, duke u varur, vetëm disa orë përpara dhe nuk u jepet mundësia për të folur me avokatët apo familjet e tyre.

Biseda e tyre e fundit zakonisht është me një prift budist. /Telegrafi/

Exit mobile version