Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, duhet ta shqyrtojë një ofertë për shitjen e klubit ose të vazhdojë ta drejtojë atë, me gjithë protestat e tifozëve dhe grevat e lojtarëve – bënë të ditur një avokat italian.
Sportsmail ka mësuar se familja Al-Thani nga Katari ka bërë një ofertë në vlerë prej 560 milionë eurosh për ta blerë klubin italian.
Situata te Napoli është bërë e keqe së fundmi saqë lojtarët po angazhojnë truproja për shkak të prishje së raporteve të kryesisë së klubit me një pjesë të tifozëve.
Pas refuzimit të futbollistëve që të merrnin pjesë në një stërvitje të kërkuar nga De Laurentiis për ta ngritur formën, presidenti i ka kërcënuar se do t’ua ulë pagat për 25 për qind.
Angelo Pisani (i cili ka qenë avokat edhe i legjendës së Napolit, Diego Maradona) beson se presidenti e ka humbur interesimin për klubin dhe tash përballet me një vendim të madh – ta shesë Napolin dhe ta mbajë Barin (në Serie C) si klubin e vetëm italian.
“Duket sikur Aurelio e ka humbur dëshirën që të investojë te Napoli. De Laurentiis do të vendosë nëse do ta mbajë Napolin ose Barin”, ka thënë avokati. /Telegrafi/