Një ditë pasi i CIA-s amerikane William Burns qëndroi për vizitë të shkurtër në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, presidenti serb Aleksandar Vuçiq është takuar sot me ambasadorin rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko.
Pas këtij takimi Vuçiq tha se temë diskutimi ishte situata në Kosovë, dhe sipas tij mundësia e “hapjes së dhunshme” të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, transmeton Telegrafi.
Ai nuk hezitoi të theksojë se temat e diskutuara ishin në interes të Serbisë dhe Rusisë, duke mos u ndalur as kësaj radhe duke pretenduar se “është i brengosur” për pasojat e mundshme të hapjes së “dhunshme” të urës në Mitrovicë.
Një ditë më parë Vuçiq bisedoi për temat e njëjta në Beograd me ndihmës-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, për çështje politike dhe siguri Boris Rugeo.
Ndërkaq vizita e kreut të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane, William Burns në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi ishte bërë kryetemë e mediave të këtyre dy vendeve. /Telegrafi/