Telegrafi

Një anije plot kimikate po fundoset në brigjet e Sri Lankas

Një cisternë plot kimikate po fundoset në brigjet e Sri Lanka ndërsa bota ka frikë se aksidenti mund të kthehet në një katastrofë mjedisore.

Cisterna e regjistruar në Singapor X-Press Pearl u dogj për gati dy javë para se zjarri të shuhej këtë javë. Nëse anija mbytet, qindra ton karburant mund të derdhen në det dhe të shkatërrojnë jetën detare atje.

Flotat detare të Sri Lanka dhe Indisë kanë punuar së bashku në ditët e fundit për të shuar zjarrin dhe tani për të parandaluar anijen nga thyerja dhe fundosja, por operacioni pengohet nga detet e ashpra dhe erërat musonike.

Zëdhënësi i Marinës së Sri Lankës, Indika Silva i tha BBC-së se “ekipet e shpëtimit po përpiqen ta tërheqin anijen drejt detit të thellë para se ajo të fundoset për të minimizuar ndotjen e detit”.

Ekologia Ajantha Perera paralajmëroi se mundësia e fundosjes është skenari më i keq për mjedisin.

“Me gjithë ngarkesën e rrezikshme, acidin nitrik dhe përbërësit e tjerë, si dhe karburantin e anijes, fundosja do të çojë në shkatërrimin e të gjithë shtratit të detit”, shtoi ajo.

Zona bregdetare pranë qytetit Negombo është tashmë e ndotur me naftë dhe ndotje të tjera. Ministria e Peshkimit në Sri Lanka ka njoftuar se masat emergjente kanë hyrë në fuqi për të mbrojtur Lagunën Negomba dhe zonat përreth. /Telegrafi/