Telegrafi

Një anije për transportimin e mallrave përplaset në një urë në Kinë, pesë vetura bien në ujë – humbin jetën dy persona

Në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin kinez Guangzhoi një anije për transportimin e mallrave është përplasur në një urë, ku si pasojë në lumë kanë rënë pesë veturë, përfshirë një autobus.

Mediat e atjeshme raportojnë se në këtë aksident kanë humbur jetën dy persona, e tre tjerë po konsiderohen si të zhdukur, transmeton Telegrafi.

Në videot nga vendi i ngjarjes shihet një pjesë e urës e thyer, ku nën të qëndron anija transportuese. Incidenti ka ndodhur në ora 5:30 të mëngjesit.

Policia kineze ka arrestuar kapitenin e anijes dhe ka evakuuar banorët që jetojnë në afërsi.

Në vitin 2021 autoritet e atjeshme kishin theksuar nevojën për forcimin e kësaj ure, që përfshinte ndërtimin e një objekti për të shmangur përplasjen me shtyllat e urës.

Deri më tani është zgjatur tre herë afati për kryerjen e punimeve, shkruan BBC, kurse Guangzhou ka një prej porteve më të frekuentuara në Kinë. /Telegrafi/