Site icon Telegrafi

Një Alkenë, një Shqipëri !

Intervistoi: Arnolld Korenica

Kush është Alkena?
Alkena: Alkena është një vajzë e cila lindi në Pejë dhe pati fatin të rritet në një familje të shëndoshë e cila e krijoi një personalitet sa të çuditshëm aq edhe parimor të Alkenës. U rrita krejtësisht e lirë në përzgjedhje e dëshira. Mu lejua të ëndërroj e të realizoj sipas mënyrës time. Pa modesti them që Alkena i përket llojit të njerëzve origjinal që nuk mplekset me kërkesat e trendeve.

Më thuaj, cila është Alkena sot, Alkena para Big Brotherit dhe gjatë qëndrimit në shtëpi?
Alkena: Jam ajo që isha edhe dje dhe do jem edhe nesër sa i përket karakterit dhe vizioneve. Para qëndrimit në Big Brother e kisha dëshirën e madhe të ndaj idetë e mia me masën, gjatë qëndrimit e bëra dhe tash pas asaj sprove jam e lumtur që ja dola të bart mesazhin në veshët e atyre që dëgjojnë dhe në zemrat e atyre që u puqën me idetë e mia.

Kur ke hyrë në Big Brother, ke pasur strategji?
Alkena: Strategjitë që kanë për tendencë fitoren me çdo kusht, krijojnë një figurë të urryeshme, nuk shkelet çdo gjë që të del përpapra vetëm që të arrish qëllimin i cili tek e fundit pak çon peshë në sytë e njerëzve. Mendoj që kisha vetëm mënyrë, dhe ishte mënyra ime që e përdor çdo ditë, pa asnjë modifikim.

Pse mendon se je eliminuar – aq herët?
Alkena: Ndoshta pse më konsideruan ‘armike’ të orientimit pro europian, dhe se figura ime preku në një pjesë të shoqërisë që vrapon pas rrymave të fundit, që bëjnë hop pa e bë hapin, u irrituan nga një 23 vjeçare e cila krejt thjeshtë drejtoi gishtin pikërisht nga këta të quajturit globalistë pro çdo gjëje që e denigron identitetin tonë.

Nuk po të pyes fare për marrëdhëniet me banorët tjerë të Big Brother, por a mund të na rrëfesh se çfarë eksperience ishte për ty, a ia vleu pjesëmarrja?
Alkena: Pos që njoha për afër mentalitete të ndryshme, dhe disa prej tyre drejtpërdrejt janë pjesë e përditshmërisë time (Alma, Klaudia), gjithashtu arrita që të përçoj mendimet e një mase jo të vogël edhe pse jo rallë herë e censuruar e gati e kryqëzuar për ato mendime.

Është mëkat të prekësh në karakter një femër si ti, por duke parë revolucionin teknologjik dhe rrethanat e jetës së të rinjve sot, si është e mundur që arrite të reflektosh vlera patriotike në një reality shoë të tillë? Nga forca?
Alkena: Revolucioni teknologjik nuk është arsye për zbehjen e ndjenjave kombëtare apo neglizhimin e shprehjes së tyre. Përkundrazi është edhe formë mobilizimi dhe solidarizimi më e lehtë. Unë po që hyra me një ide madhore sa vet formati i reality show, por pikërisht ky reality show e bëri të mundur në mënyrë të drejtpërdrejt reflektimin e arsyes time. Forcën e kisha më vete, dhe them me plot gojë që edhe u rrit gjatë qëndrimit tim aty, isha në mes të Shqipërisë e rrethuar me njerëz nga të gjitha viset shqiptare.

Si duhet të jetë një femër shqiptare dhe a mendon se je vajzë e mirë?
Alkena: Femra shqiptare nëse kthehemi edhe prapa në histori është kyçi i çdo revolucioni të kohës, shpesh i tejkalojnë edhe barrierat e gjinisë ose natyrës dhe dijnë të kthehen në heroina dhe koka të vendit. Mund të personifikoj mbretëreshën Teutë, të kaloj tek Marigoja, Shota, e deri tek femrat e suksesshme të kohës tonë si Meliza Haradinaj, kam fatin të marr shembull nga një numër i madh i femrave dhe të jem e edukuar pikërisht nga një femër e fortë, mami im.

Cilat i konsideron ndër traditat më të rëndësishme shqiptare? Vë në theks të veçantë Kanunin dhe virgjërinë, shpeshherë të përkufizuara si mite.
Alkena: Traditat shqiptare janë të gjitha të çmueshme për mua, marrë parasysh kohërat, luftërat dhe të gjitha demagogjitë kundër tyre, ato prap mbijetuan. Më duhet të përmend besën dhe dasmat, për mua janë dy aktet më unike në botë. Besa zuri vend edhe deri tek mitologjitë shqiptare duke tentuar të transmetohet në çdo mënyrë si vlerë dhe dasmat me flamur e krushqi më japin ndjenjë krejt të veçantë. Kanuni për kohën kur ishte shkruar, konsiderohet si kushtetutë, është i tëri unik i kohës, me të gjitha çalimet dhe të mirat e tij.

Ti e do shumë Shqipërinë, apo jo? Cili është qyteti më bukur, më kulturor, cili është qyteti më shqiptar në Shqipërinë etnike për Alkenën?
Alkena:
Dashuria, për vendin ku jetoj, Shqipërinë, është më e pakta që mund të dhuroj. Nuk dua të bëj ndonjë ndarje se cili qytet apo rajon më pëlqen më shumë, ka specifikën e vet secila pëllëmbë e kësaj toke, është aq e mbushur çdo cep i Shqipërisë. Ndarjet dhe më keq rajonizimet egzistojnë vetëm në politikën e sotme shqiptare.

Ke fansa gjithandej, por sa shpesh i viziton vendet tjera pos kryeqytetit Tiranës dhe Prishtinës?
Alkena: Kam dashamirë gjithandej Shqipërisë. Para pak ditësh kisha një udhëtim të shkurtër për në Iliridë, kam vizituar edhe shumë vende nga Jugu në Veri, them hapur që jam dashuruar dhe e mahnitur me mrekullitë që na rrethojnë neve shqiptarëve, me bujarinë dhe mikpritjen si zakon që nuk shuhet asnjëhere ndër shqiptarë, janë shumë emotive këto udhëtime dhe i bëj shpesh.

Alkena, je shumë aktive në rrjetet sociale (Facebook, Twitter) ku zakonisht vë në pah problemet që të preokupojnë më shumë, e që jo rallë herë është gjendja momentale e shqiptarëve. Ku i sheh Alkena shqiptarët sot?
Alkena: Kam nevojë çdo ditë të ndaj mendimet e mia me miqtë ose edhe të panjohurit, shpeshherë edhe më kritikojnë për akuzat që ju drejtoj, jo rrallë herë këto akuza janë edhe drejt qeverive aktuale.

Na zbulo pak detaje nga fëmijëria dhe adoleshenca, çfarë periudha ishin këto për ty?
Alkena:
Isha nga fëmijët e shumtë të cilëve jeta u mori konotacionin para dhe pas luftës. U rrita kryesisht si një fëmi i konsideruar armik në lagje edhe pse vetëm 10 vjet pas periudhës ’99, por kisha ngrohtësinë e gjithë botës në familje. Fëmi ambicioz dhe me shumë ëndrra. Adoleshenca më gjeti më të pjekur dhe nuk arrita pafundësisht të shijoj çmenduritë e asaj moshe, isha më e preokupuar me librat dhe përzgjedhjet për të ardhmen time, por gjithsesi kjo më dha edhe përparësi pastaj, se e mbaj brenda ende Piter Panin, të cilin nuk e konsumova kur duhej.

Çfarë studion apo punon Alkena?
Alkena: Studioj për psikologji në Universitetin e Prishtinës, jam në vitin e fundit dhe me të përfnduar do e ndërroj ngjyrën edukimit në vazhdim, do vazhdoj master në një degë tjetër, të cilën e kam shumë për zemër. Jam tipi që i ndërron shpesh punët kur nuk e gjen pasionin në të, jam para disa ofertave interesante të cilat po i rishqyrtoj, por këtë hendek kohor ia kam dedikuar krejtësisht fakultetit.

Pesë gjërat më për zemër?
Alkena: Çdo ditë ndeshi në to, janë më shumë se pesë. Përpos ngjyrave kuq e zi dhe çdo gjë që ndërlidhet me to, të lexuarit, analizuarit dhe të shkruarit janë gjërat që i bëj me shumë dëshirë, pasion dhe përkushtim.

Dhe për fund kërkojmë sinqeritetin më të madh – a ka të dashur Alkena?
Alkena: Jam e rrethuar dhe e bekuar me dashuri çdo minut nga njerëzit e mi të afërm, miqtë dhe rrethi, ndihem e kompletuar kështu si jam.

Ku e sheh veten pas 10-20 vitesh?
Alkena:
Duke analizuar planet e të sotmes, dhe lutem që të jem në një pozicion ku do të kem hapësirë dhe mundësi të mjaftueshme të ndihmoj njerëzit dhe të jem në shërbim të vendit.

Të faleminderit shumë, Telegrafi të uron ty dhe gjithë shqiptarëve ditën e flamurit tonë kombëtar dhe të dëshiron suksese të mëdha në jetën tënde në të ardhmen. !
Alkena:
Faleminderit Telegrafit dhe urime gjithë shqiptarëve festën e flamurit.
 

/Telegrafi/

Exit mobile version