Sot kanë filluar punimet për ndërtimin e rrugës “2 Maji” në Studime të Poshtme të Vushtrrisë.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka thënë se kjo rrugë është e gjatë 2800 metra dhe do të ketë trotuar e gjelbërim, shkruan Telegrafi.
Sipas tij, do të bëhet pastrimi, zgjerimi dhe betonimi i shtratit të lumit.
“Rruga e re do të ndërtohet në gjatësi 2800m, e që do të ketë edhe trotuar e gjelbërim. Po ashtu, do të bëhet pastrimi, zgjerimi dhe betonimi i shtratit të lumit, si dhe ndërtimi i kanalizimit fekal dhe atmosferik”, ka thënë ai.
Idrizi ka treguar se ky projekt është në bashkëfinancim mes Komunës së Vushtrrisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
“Ky projekt do të realizohet në bashkëfinancim mes Komunës së Vushtrrisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, dhe ka vlerën 2,541,076.60 euro”, ka thënë tutje kryetari i Komunës së Vushtrrisë. /Telegrafi/