Komuna e Prizrenit ka njoftuar se kanë filluar punimet për ndërtimin e rreth rrotullimit të ri në rrugën “Adem Jashari”, në lagjen “Bazhdarhane”, në hapësirën e ish-objektit të ndërmarrjes së dikurshme “Liria”.
“Ky projekt i Drejtorisë së Shërbimeve Publike ka për qëllim rregullimin e trafikut dhe do ta bëjë më të lehtë qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve”, thuhet në njoftim.
Në të njëjtën kohë është theksuar se në këtë mënyrë mundësohet përmirësimi i infrastrukturës në këtë zonë.
“Kjo është një ndërhyrje e rëndësishme për zhvillimin e infrastrukturës dhe për përmirësimin e kushteve për qytetarët”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Ditë më parë, drejtori i Shërbimeve Publike, Celë Lamaj ka theksuar se ky dikaster synon transformimin e “Bazhdarhanes” me rreth rrotullim, rrugë më të gjerë dhe parkingje të reja.
Sipas tij në planet e mëtejme është edhe projekti për vendosjen e një skulpture të Vrapueses së Prizrenit, si ikonë e qytetit të vjetër. /Telegrafi/