Punimet për asfaltimin e rrugës nga Prizreni në drejtim të Luginës së Lumbardhit kanë nisur të hënën nga dalja e qytetit në lagjen Ralin. Gjatë zhvillimit të këtyre punimeve, sipas njoftimit të MMPHI-së, rruga do të jetë e mbyllur për qarkullimin e automjeteve deri me 25 shtator.
“Ju njoftojmë se do të mbyllet rruga rajonale R-115 segmenti Prizren-Prevallë, me rastin e asfaltimit të kësaj rruge. Mbyllja e këtij segmenti përfshinë lokacionin nga dalja e Prizrenit (lagjja Marashi) deri te tuneli i parë i rrugës për Llokvicë. Mbyllja e rrugës për qarkullimin e automjeteve do të bëhet nga 23-25 shtator 2024, në intervalin kohor nga ora 9.00 deri në ora 17.00”, thuhet në njoftimin e MMPHI-së.
Ndërkaq drejtori i shkollës në fshatin Mushnikovë, Sedat Bajrami ka njoftuar se të hënën në këtë shkollë nuk do të zhvillohet procesi mësimor si pasojë e mbylljes së rrugës për qarkullimin e automjeteve.
“Duke marrë parasysh që një pjesë e madhe e mësimdhënësve të shkollës sonë udhëtojnë nga Prizreni në Mushnikovë, po ju informoj që ditën e hënë, më 23 shtator, nuk do të mbahet mësim”, ka shkruar ai.
Sipas tij, kjo ditë e humbur e procesit mësimor do të zëvendësohet të shtunën. /Telegrafi/