Telegrafi

Nisin kërkimet për vendburimet e reja të gazit dhe naftës

Kompania zvicerane DWM Petroleum AG, do të kryejë shpime për gjetjen e naftës dhe gazit në Shqipëri. Kërkimet do të zgjasin për një periudhë 7 vjeçare dhe do të ndahen në tre faza. Në këtë operacion do të investohen gjithsej 25 milionë dollarë, përfshi këtu hapjen e një pusi për naftën gjatë fazës së parë të kërkimeve. Kjo janë pikat kryesore të marrëveshjes së nënshkruar dje nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, me drejtuesit e kompanisë DWM Petroleum AG.

Marrëveshja hidrokarbure konsiston në kërkimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në Shqipëri, në Blloqet 2 dhe 3. Në konkursin e hapur nga ministria, për këto dy blloqe paraqitën interes dy kompani, DWM Petroleum AG dhe Gas Plus Italiana. Në përfundim të procesit konkurues, nga krahasimi i aplikimeve, ai i paraqitur nga kompania DWM Petroleum AG rezultoi fitues. Në këto kushte, u vendos vazhdimi i negocimeve me këtë kompani për përgatitjen e tekstit përfundimtar të draftit të marrëveshjes hidrokarbure. Në të janë reflektuar treguesit më të mirë teknikë- ekonomikë të arritur deri tani, duke reflektuar njëkohësisht edhe detyrimet ligjore të rrjedhura nga ligji “Për Taksat Kombëtare”.

“Kjo marrëveshje parashikon edhe një investim nga kontraktori për trajnimin e administratës shtetërore për përfitimin e bonuseve të prodhimit. Në marrëveshje janë parashikuar me detaje të gjitha elementet e tjerë, që lidhen me zbatimin e legjislacionit shqiptar dhe veçanërisht atij për ruajtjen e mjedisit dhe jetesës së punonjësve”,- deklaroi ministri Ruli. Një pikë tjetër e Marrëveshjes Hidrokarbure, është që kontraktori angazhohet gjatë kryerjes së operacioneve hidrokarbure që të ndiqen praktikat më të mira botërore, që zbatohen në industrinë e hidrokarbureve.

Afati maksimal i kësaj marrëveshjeje është parashikuar për 25 vjet. Në termat ekonomike të kësaj Marrëveshjeje Hidrokarbure, përcaktohen tatimi mbi fitimin, raporti i ndarjes së fitimit midis shtetit dhe kontraktorit dhe zbatimi i ligjit për Rentën Minerare në masën 10 për qind. Duke analizuar këto terma ekonomike të propozuara dhe negociuara midis palëve në marrëveshje, në total ndarja e fitimit mes shtetit dhe kontraktorit është rreth 60 për qind për shtetin dhe 40 për qind për kontraktorin. Kompania zvicerane DWM Petroleum AG, ka asete të gazit dhe naftës në disa vende të botës, duke përfshirë Azinë Qendrore, Europën Qendrore dhe Amerikën e Jugut.

Projekti

Investitorët italianë, interes për prodhimin e energjisë nga Era

Energjetika mbetet një sektor që po shihet me shumë interes nga investitorët italianë. Një grup prej tyre, si përfaqësues të Grupit TREVI, Ekobio, Amouuge LLC, kompanisë T-Power, Grupit SMA Svilupo etj, kanë zhvilluar një takim me kryeministrin e vendit, Sali Berisha. Projektet e paraqitura nga këta investitorë konsistonin kryesisht në fushën e energjisë. Interes konkret u tregua për ndërtimin e një impiant prodhimi energjie nga Era, me platformë në det dhe në tokë, pranë zonës së Porto Romanos, në Parkun Energjetik të kësaj zone, si dhe në ndërtimin e një linje kavo-elektrike nënujore, midis Shqipërisë dhe Italisë. Për këtë të fundit, është marrë leja e ndërtimit dhe është përfunduar procedura nga pala italiane, ndërkohë që është në proces marrja e lejes nga pala shqiptare.

Një tjetër projekt në fushën energjetike, ishte ai për ngritjen e një impianti biomase.

Investitorët italianë shprehën interes edhe për fushën e turizmit, ku paraqitën projekte për ngritjen e qendrave turistike në bregdet.

Gjithashtu, ata prezantuan një projekt për ngritjen e një qendre ndërkombëtare si dhe të një “Call Center” në Durrës, për të cilin ka filluar edhe aplikimi, si dhe një projekt në fushën e agrobiznesit.