Site icon Telegrafi

Nis vendosja e numrave të ri në objekte të ndryshme në Ferizaj

Komuna e Ferizajt ka nisur procesin e vendosjes së numrave nëpër objekte të reja në përputhje me rregulloren për identifikimin dhe standardizimin e adresave. Këtë projekt është duke e realizuar zyra e veçantë për sistemimin e adresave në komunën e Ferizajt.

Zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Selim Marevci, ka ftuar qytetarët për bashkëpunim në këtë proces me arsyetim se është mjaftë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm, ndërkohë sipas tij të gjitha adresat e sakta do të inkorporohen në sistemin digjital.

“Ky proces synon, lehtësimin e orientimit në qytet dhe fshatra. Pastaj, përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike, private dhe postare dhe regjistrimin e saktë të adresave për qëllime administrative”, ka thënë për Telegrafin zëdhënësi I Komunës së Ferizajt Selim Marevci.

Marevci ka ftuar qytetarët dhe pronarët e objekteve të sigurojnë qasje të lehtë në objektet e tyre për ekipet komunale.

“Kërkojmë të bashkëpunojmë me ekipin për vendosjen e pllakave të numrave në mënyrë të saktë. Të raportojnë çdo paqartësi ose mosmarrëveshje për numrat e objekteve pranë zyrës së adresave në Ferizaj. Vendosja e numrave do të realizohet në faza dhe do të përfshijë të gjitha lagjet dhe vendbanimet e Komunës së Ferizajt”, ka shtuar Marevci. /Telegrafi/

Exit mobile version