Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka bërë të ditur se po vijojnë punimet për restaurimin e shtëpisë së familjes Bërlajolli në Prizren.
Sipas njoftimit, si rrjedhojë e këtyre intervenimeve ky aset do të ruhet për brezat e ardhshëm.
“Edhe një shtëpi, aset i trashëgimisë kulturore, po shpëtohet nga rrënimi. Po punohet me intensitet në restaurimin e shtëpisë së familjes Bërlajolli, që gjendet në lagjen e Sarajit në Prizren. Shtëpisë që i takon shek. XIX-të, do t’i kthehen vlerat që kishte, dhe do të ruhet për brezat e ardhshëm”, thuhet në njoftimin e MKRS-së, raporton Telegrafi.
Bazuar në të dhënat e autoriteteve të trashëgimisë kulturore, shtëpia e familjes Bërlajolli gjendet në pjesën perëndimore të qytetit, në lagjen Saraji. Ajo është ndërtuar në shekullin XIX dhe ka shërbyer për banim gjatë tërë kohës.
Ky aset sipas raportit “Gjendja e Trashëgimisë Kulturore në Kosovë – 2021” të publikuar nga CHwB Kosova ka qenë pjesë e listës së trashëgimisë në rrezik, ku gjendja fizike është vlerësuar si e keqe, raporton Telegrafi.
Vite më parë edhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren pat intervenuar në këtë aset të trashëgimisë kulturore. /Telegrafi/