Site icon Telegrafi

Nis ndërtimi i Qendrës Kulturore në Mamushë, vlera e projektit afër 2 milionë euro

Në prani të zyrtarëve të pushtetit lokal, atij qendror dhe diplomatëve të Turqisë, në Mamushë të premten është vënë gurthemeli për ndërtimin e Qendrës Kulturore.

Ky investim, sipas njoftimit të Komunës së Mamushës, është projekti më i madh buxhetor në historinë e kësaj komune, pasi buxheti i paraparë nga MKRS-ja dhe MZHR-ja për realizimin e tij është afër dy milionë euro, raporton Telegrafi.

Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdülhadi Krasniç ka theksuar se projekti në fjalë ka një rëndësi të madhe për komunitetin ngase do të mbushë boshllëqet ekzistuese në infrastrukturën kulturore dhe do të ofrojë hapësira të reja për aktivitete artistike, kulturore dhe sociale.

“Ky është një projekt të cilin e kemi pritur shumë gjatë. Pas arritjeve në fushat tjera kemi pas mangësi sa i përket bibliotekës si dhe hapësirës për realizimin e aktiviteteve kulturore. Këtë vit, në saje të mbështetjes së ministrit Fikrim Damka dhe ministrit Hajrulla Çeku po nis realizimi i këtij projekti me vënien e gurthemelit”, ka thënë Krasniç, raporton Telegrafi.

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı duke shprehur mirënjohje për ftesën për pjesëmarrje në këtë ceremoni, ka vlerësuar se projekti është i rëndësishëm për brezat e rinj.

“Jo të gjithë qytetarët e Komunës së Mamushës duhet të merren me prodhimin e domates dhe dhënien e kontributit për ekonominë e Kosovës, por një pjesë duhet të jenë edhe dijetarë. Prandaj ky projekt është shumë i rëndësishëm sepse kjo nuk është vetëm një ndërtesë, por një hapësirë që në brendi ofron shërbime për njerëzit dhe ju do ta jetësoni këtë projekt”, ka deklaruar ambasadori Tunç Angılı.

Punimet në këtë projekt parashihet që të përfundojnë brenda afatit dy vjeçar. /Telegrafi/

Exit mobile version