Site icon Telegrafi

Nis ndërtimi i parkut në ish pronën e kompanisë “Pastërtia” në Ferizaj

Komuna e Ferizajt ka nisur procedurat për ndërtimin e një parku të ri brenda zonës urbane të qytetit. Kjo hapësirë prej 60 arësh gjendet te ish objekti i vjetër i kompanisë “Pastërtia”.

Arbër Bytyqi, drejtor për Urbanizëm në Komunën e Ferizajt, ka thënë për Telegrafin se tashmë kanë nisur rrënimin e objekteve të vjetra të ish kopanisë “Pastërtia” për të vazhduar më tej me procedura për ndërtimin e parkut të ri.

“Tashmë e kemi bërë publike se në ish pronën apo te objekti i vjetër i kompanisë “Pastërtia” do ta ndërtojmë një park të veçantë në zonën urbane të qytetit. Ky park do t’i ketë të gjitha parametrat ani pse ka një hapësirë jo shumë të madhe prej rreth 60 arësh, por i plotëson nevojat dhe kriteret për zonën urbane . Aty është afërt edhe çerdhja publike e Ferizajt, andaj fëmijët aty do ta kenë edhe një mundësi shtesë për të dalë dhe për të kaluar kohen e lirë”, ka thënë Bytyqi.

Sipas tij, komuna është në proces për mbjelljen e drunjtëve dekorativ në zona të ndryshme me qëllim që qytetarët të kenë sa më shumë pamje të bukura e hapësira gjelbëruese. /Telegrafi/

Exit mobile version