Site icon Telegrafi

Nis “gjuetia” e gjykatëseve afganë, vrasësit në gjurmët e femrave që i burgosën

Ishin gratë që thyen tabutë në Afganistan; mbështetëset e paepura të ligjit dhe peshorja e drejtësisë për më të margjinalizuarit.

Tani, më shumë se 220 gjykatëse afgane jetojnë të fshehura nga frika e hakmarrjes nën sundimin taleban. 6 prej tyre folën me BBC-në nga vendi sekret ku po qëndrojnë në Afganistan; të gjithave iu ndryshuan emrat për arsye sigurie.

Përgjatë karrierës së saj si gjykatëse, Masooma ka dënuar qindra burra për dhunë ndaj grave, përdhunim e vrasje. Vetëm pak ditë pas marrjes se pushtetit prej talebanëve, mijëra kriminelë u liruan nga burgjet, dhe ndaj saj e të tjerave, nisën kërcënimet me vdekje.

“Ikëm menjëherë, sapo mësuam që talebanët hapën burgjet. Nuk morëm asgjë nga shtëpia, ikëm me rrobat e trupit”, rrëfeu ajo.

Masoma thotë se pas kësaj kishin shkuar ta kërkonin, dhe mjaftoi përshkrimi i personave per te mësuar se për kë bëhej fjalë. Njërin prej tyre, ajo e kishte dënuar me 20 vjet burg për vrasjen brutale të së shoqes.

“Kur gjyqi u mbyll, ai erdhi drejt meje dhe më tha: Në momentin që do të dal nga burgu, do të të bëj ty atë që i bëra gruas sime”, kujton gjykatësja.

Të 220 gjykatëset që jetojnë të fshehura sot në Afganistan, kanë marrë që të gjitha kërcënime me vdekje.

Exit mobile version