Telegrafi

Nis festivali “Mitrovica International Jazz Days”, performojnë artistë të njohur ndërkombëtarë

“Mitrovica International Jazz Days”

Mbrëmë ka filluar festivali “Mitrovica International Jazz Days”, e cila është një ngjarje muzikore e shumëpritur nga qytetarët mitrovicas.

Pjesëmarrës në hapjen zyrtare ishin nënkryetari i komunës, Arian Tahiri, kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Vesa Broja, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Fahri Jashari, ambasadori amerikan, Jeffrey M. Hovenier, ambasadori zviceran, Jurg Sprecher, ambasadori gjerman Jorn Rohde, ambasadori francez, Oliver Guerot, si dhe politikanë, përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore, dhe qytetarë tjerë, shkruan Telegrafi.

“Organizuar nga këngëtarja dhe producentja Rona Nishliu, ky festival është hapur nga artistja e njohur ndërkombëtare, Gunhild Carling, nga Suedia, festival ky që rrethonte veten me një atmosferë të magjishme të tingujve të jazz-it”, thuhet në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.

Ky festival do të mbahet edhe për dy net radhazi me datat 23 dhe 24 gusht, ku do të performojnë artistë të njohur nga vendi, rajoni dhe bota. /Telegrafi/