Telegrafi

Ngritja e çmimit të rrymës dhe pagesa për serbët në veri, Haradinaj: Këtë diskriminim do ta dërgojmë në Kushtetuese

Kryetari i aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se do ta dërgojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës vendimin për çmimin e energjisë elektrike.

PËrmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se qytetarët po përballen me pamundësinë për të siguruar ekzistencën.

“Kryeministër, nuk ushqehet populli me ideologji. Situata në Kosovë është shumë më e komplikuar, nuk është veç punë nafte e punë akcize. Qytetari i këtij vendi po përballet me pamundësinë me siguru ekzistencën, po rriten çmimet e gjithë artikujve të jetesës, rryma, nafta, vaji, sheqeri, buka, ilaçet edhe gjithçka tjetër”, shkruan Haradinaj.

Tutje, ai thotë se “Kemi qenë të shqetësuar gjatë gjithë këtyre muajve të veprimeve të kësaj qeverie antipopullore. Ka më shumë se 6 muaj që bëjmë presion te kjo qeveri ta miratojë Ligjin e Pagave dhe rritjen e pagës minimale, e s’ka asnjë veprim”.

“Përkundrazi ajo e rritë çmimin e energjisë për qytetarët shqiptarë, ndërkaq për serbët në veriun e vendit, vendos me ua pagu rrymën nga buxheti i shtetit. Sot, e kemi nisë procedurën që këtë diskriminim ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Përfundimisht, situata në Kosovë kurrë nuk ka qenë më e rëndë, edhe në aspektin e ekzistencës e edhe të sigurisë. Kryeministri në vend që të veprojë po mbanë fjalime letrare dhe filozofike në Kuvend”, shkruan Haradinaj.

Po ashtu, Haradinaj shton se “Nuk ushqehet populli as me ideologji e as me ëndrra”.

“Nuk mashtrohen njerëzit me fjalë të bukura. Nuk mbahet shpija me llafe. Qeveria po kujton se mund të tallet me qytetarët e vendit, duke i lajthitur me do farë “epopeshë të arsimit”. Kanë vdekur sistemet kur popujt janë ushqyer me ideologji dhe me artin e kulturën që e kanë prodhuar ato, e të cilat kryeministri Kurti po i përdorë me aq pafytyrësi”, shkruan ai.

Ndërkaq, shton në fund se nuk e kanë ndërmend të ndalen paravarësisht fuqisë opozitare që e kanë në Kuvend.

“Prandaj, ne nuk e kemi ndërmend të ndalemi së demaskuari këtë qeveri të dëmshme, pa marrë parasysh fuqinë tonë opozitare në Kuvend, por gjithnjë me shpresë se do të rritet populli opozitar që nuk do të bie pre e mashtrimeve dhe fjalëve të bukura të Kryeministrit, e që herëdokurë do t’ia japë përgjigjen që e meriton”, thotë në fund ai. /Telegrafi/