Strategu italian braktisi Paris Saint-Germainin pasi kishte fituar titullin e Ligue 1 dhe më 26 qershor 2013 zuri vendin e Jose Mourinhos në Santiago Bernabeu.
Lojtari i parë që transferuan Mbretërit nën drejtimin e Ancelottit, ishte Isco. Më pas u blenë Dani Carvajal, Casemiro dhe Asier Illarramendi.
Legjenda franceze, Zinedine Zidane, u bë dora e djathtë e italianit – ai u caktua asistent i tij. Atë verë nga klubi u larguan emra, si Kaka, Gonzalo Higuain, Jose Callejon, Raul Albiol e Mesut Ozil.
Në shtator 2013 u transferua Gareth Bale, ndërsa Reali i fitoi gjashtë dhe barazoi vetëm një në shtatë ndeshjet e para në La Liga. Njëherësh, Los Blancos fituan pesë dhe barazuan vetëm një ndeshje në fazën grupore të Ligës së Kampionëve.
Humbjet nga Atletico Madridi, Barcelona dhe Sevilla e lanë skuadrën e Ancelottit prapa në garën për titullin e La Ligas (2013/2014), të cilin e fituan Los Rojiblancos.
Mirëpo, ai e drejtoi ekipin drejt finales së Kupës së Mbretit, ku e mposhtën Barcelonën. Ndërsa turpëruan Bayern Munichun në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve për t’u ndeshur me Atletico Madridin në finale.
Në finale të garës evropiane, 55-vjeçari përjetoi një moment drithërues kur Sergio Ramos e barazoi rezultatin për ta dërguar ndeshjen në vazhdime, ku me golat e Bale, Marcelo dhe Ronaldo, ishte ai që ua solli Mbretërve ‘La Deciman’ e shumëpritur.
Në fillim të sezonit 2014/2015, Fernando Hierro zuri vendin e Zidane, derisa Xabi Alonso, Angel Di Maria, Diego Lopez dhe Alvaro Morata, u larguan nga skuadra. Erdhën futbollistë, si James Rodriguez, Toni Kroos e Keylor Navas.
Trofeu i Superkupës së UEFA-s ishte i pari në sezonin e ri pas triumfit ndaj fituesit të Europa League, Sevilla (2-0). Reali e humbi Superkupën e Spanjës nga Atletico Madridi, por më vonë e fitoi Kupën e Botës për Klube.
Gjatë kësaj periudhe, Cristiano Ronaldo fitoi Topin e Artë falë sukseseve në sezonin paraprak dhe kishte shënuar 32 gola në gjysmën e parë të sezonit të ri, duke i ndihmuar Realit të qëndronte në krye të La Ligas.
Fillimi i vitit 2015 shënoi fillimin e rënies së “mbretërisë Ancelotti”. Los Blancos u eliminuan nga Kupa e Mbretit nga Atletico Madridi. Ekipi i Diego Simeones pastaj i turpëroi në La Liga me rezultat 4-0.
Reali eliminoi Schalken me vështirësi në 1/8 e finales, ndërsa humbja nga Barcelona në ‘el Clasico’, bëri që ekipi i italianit të mos ishte më favorit për titull duke mbetur katër pikë prapa.
Lojtari që nuk ia mbushte syrin Ancelottit, Alvaro Morata, ishte ai që shoi përfundimisht shpresat e Real Madridit për ndonjë trofe në sezonin 2014/2015, pasi me Juventusin e eliminoi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Ndeshja e fundit e Merengues me Carlo Ancelottin në krye, ishte ajo kundër Getafes, të cilën skuadra e tij e fitoi me rezultat 7-3, duke e mbyllur sezonin pa trofe.
Dhe të mos fitosh trofe te Real Madridi, do të thotë se nuk e ke vendin aty. Florentino Perez nuk hezitoi që me shpejtësi t’ia tregonte derën trajnerit, përkundër se një vit më parë ishte ai që bëri historinë te klubi mbretëror. /Telegrafi/