Telegrafi

NGOMfest mbahet në Kalanë e Prizrenit nga data 11 deri më 14 korrik

Edicioni i 13-të i festivalit të muzikës NGOMfest do të mbahet në Kalanë e Prizrenit nga data 11 deri më 14 korrik. Sipas organizatorëve festivali edhe sivjet premton një përvojë të paharrueshme, duke sjellë artistë të zhanreve të ndryshme të muzikës për të magjepsur audiencën e të gjitha moshave.

Sipas njoftimit të NGOMfest nata e parë e festivalit do të hapet nga ikonat e muzikës Hip-Hop Mc Kresha dhe Lyrical Son, të cilët do të performojnë në skenën kryesore ku po ashtu do të bashkëngjitet edhe YA NINA.

Ndërsa nata e dytë do të jetë një dimension tjetër sepse në skenën kryesore do të performojë Dub FX, i cili vjen nga Australia së bashku me Mr.Woodnote duke promovuar albumin e tij të ri “Infinite Reflection”, ku kombinon  muzikën “Reggae” me atë “Jazz” dhe meloditë elektronike me përsëritje. Po atë natë, sipas njoftimit të festivalit, në skenë do të jetë edhe artisti nga Prishtina – Lafazani.  Në skenën e mëngjesit do të performojë DJ dhe producentja nga Buenos Aires, e famshmja Sol Ortega së bashku me spanjollen Anabel Arroyo.

Ndërkaq të shtunën festivali do të elektrizohet nga super DJ dhe producentja Jennifer Cardini dhe Roman Flügel, por edhe emra të tjerë për të befasuar audiencën besnike të festivalit.