Teatri i Qytetit të Gjilanit gjatë muajit shkurt do të sjell një laramani shfaqjes që trajtojnë tema nga më të ndryshmet.
Më 7 shkurt do të prezantohet shfaqja “E vërteta” nga Florian Zeller dhe me regji të Agon Myftarit.
Ndërsa, më 11 shkurt do të shfaqet shfaqja mysafire nga Teatri Oda “Shef Lumturimi” nga Lirak Celaj, me regji të Florent Mehmeti.
Mysafir në Teatrin Oda më 12 shkurt, do të jetë shfaqja “Jam unë ajo” nga Valmira Thaqi dhe Dituri Neziraj. Derisa, më 15 shkurt do të shfaqet në Teatrin e Qytetit të Gjilanit.
Përmes këtij rrëfimi, shfaqja “Jam unë Ajo” shpërfaq një histori që shkon përtej dimensionit personal, duke u bërë një klithmë kolektive për të sfiduar tabutë. Në një shoqëri ku nënat shpesh konsiderohen “heroinat e heshtura,” kjo vepër vë në qendër një temë që kërkon vëmendje dhe reflekton mbi realitete të shpeshherë të injoruara.
Ndërsa “Krazy Brother”, stand up comedy nga Gent Azizi, do të ngjitet në skenë më 14 shkurt.
Më 20-21 do të prezantohet shfaqja “Djali” nga Florian Zeller, derisa më 22 do të vijë shfaqja “Meri Popins” nga Pamela Lyndon Travers.
“Djali” është historia e një familjeje në krizë. Është një thirrje që shkon përtej zërit të zakonshëm të skenës, e cila kërkon të zbulojë ato dhimbje të thella që fshihen pas formave apo fasadave të heshtura të familjeve moderne.
Dhe, me data 27-28 do të vijë shfaqja “Togeri nga Inishmori” nga Martin McDonagh. /Telegrafi/