Nathan Ake ka shënuar golin e parë në karrierën e tij në garën më të madhe evropiane për klube, Ligën e Kampionëve.
Mbrojtësi holandez ishte titullar për Manchester Cityn në fitoren 6-3 ndaj RB Leipzig, në ndeshjen e parë këtë edicion në ‘Champions’.
Megjithatë vetëm disa minuta pasi ka shënuar golin e parë në karrierë në Ligën e Kampionëve, Akes i ka vdekur babai i tij.
Ka qenë vet mbrojtësi holandez që ka zbuluar nëpërmjet një shkrimi në Instagram se babai i tij ka vdekur afër nënës dhe vëllait të tij.
“Javët e fundit kanë qenë më të vështirat në jetën time, babai im ka qenë shumë i sëmurë dhe nuk kishte më trajtim të mundshëm për të”.
“Isha me fat që kisha shumë mbështetje nga e fejuara, familja dhe miqtë. Dje pas një kohe të vështirë shënova golin tim të parë në Ligën e Kampionëve, dhe vetëm pak minuta më vonë ai ka ndërruar jetë paqësisht me nënën dhe vëllanë tim afër tij”.
“Ndoshta ishte e shkruar të ndodhte, të më shikonte duke luajtur gjithmonë e bënte atë krenar dhe të lumtur. E di që ti je gjithmonë me mua, do të jesh gjithmonë në zemrën time dhe kjo ishte për ty babi”, ka shkruar mbrojtësi holandez Nathan Ake.
Reprezentuesi holandez ka marrë mbështetje nga fansat e tij, klubi dhe bashkëlojtarët pas rastit që i ka ndodhur.
Ake është njëri nga mbrojtësi më të vlerësuar në Ligën Premier, por kohëve të fundit kishte probleme tek City dhe goli ndaj RB Leipzig i ka dhënë besim të madh për të ardhmen. /Telegrafi/