Në kuadër të Manifestimit Mbarëkombëtarë “Flaka e Janarit 2025”, në objektin e Bibliotekës “Fan S. Noli” në Gjilan është mbajtur një ngjarje kulturore me titull “Vargje dhe tinguj” nga opusi krijues i Jusuf Gërvallës në 43-vjetorin e vrasjes tinëzare të vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës.
Kushtrim Zeqiri, drejtor në Drejtorinë për Kulturë, Rini e Sporte ka theksuar se është ky edicioni i dytë, i cili mëton të bëhet tradicional dhe nëpërmjet tij përkujtohet jo vetëm dhe vepra e Jusuf Gërvallës, por edhe vlerat e tij të përjetshme si poet, artist e patriot.
“Me cdo aktivitet të Flakës… ne ripërtrijmë betimin tonë për të mos harruar sakrificat e atyre që na sollën lirinë dhe për të ruajtur e përcjellë te brezat e ardhshëm pasurinë tonë kulturore”, ka thënë Zeqiri.
E pranishme në këtë ngjarje kulturore, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, e bija e Jusuf Gërvallës dhe Suzana Gërvalla, bashkëshorte e Jusuf Gërvallës.
Ajo tha se për herë të dytë po merr pjesë në këtë koncert dhe se nuk mund të pushojë së dëgjuari këto këngë.
“Ëndërroj të shijojë shpirtin, ritmin e meloditë tona”, tha Gërvalla, e cila i ka ftuar organizatorët që të përsërisin këtë koncert edhe në Dubovik, në vendlindjen e babait të saj më datë 1 tetor. Ajo foli edhe për biografinë e babait të saj, për nënën Suzanë dhe nënën Ajshe që u përkujdesën për të rritur fëmijët, sikurse edhe për këngët që u ruajtën e u volën me shumë vështirësi ndër vite.
“Sa më shumë që dëgjojmë për Jusuf Gërvallën lirik dhe të frymëzuar nga jeta, nga Duboviku, nga figura qendrore e tërë jetës së tij – nëna Ajshe, aq më shumë vërehet ai vullkan që ndodhi brenda tij që shpërtheu në forma krejt të tjera”, ka thënë Donika Gërvalla.
Sami Piraj, kritik i muzikës, ka thënë se Jusuf Gërvalla, ka kompozuar këngë kryesisht të baladës, melodi që prore mbetën në shqisat e gjeneratave e në të cilat bazë e përcjelljes është kryesisht kitara.
Duke folur për këto këngë, profesori, publicisti e kritiku i muzikës , Sami Piraj, ka thënë se Jusuf Gërvalla ka lënë një pasuri të madhe të këngëve nga zhanri i muzikës së lehtë, të cilat përpos teksteve përmbajtjesore muzikore, shquhen edhe për pasuri të mëdha melodike, ritmike e harmonike, sikundër edhe për larmi tematike.
Leonora Morina – Bunjaku, nënkryetare e Komunës së Gjilanit, tha se Jusuf Gërvalla ishte një nga figurat më të rëndësishme të muzikës shqiptare, ka kontribuar në pasurimin e traditës muzikore dhe në shprehjen e ndjenjave kombëtare përmes këngëve të tij.
Në këtë ngjarje kulturore, fillimisht janë deklamuar poezitë e Jusuf Gërvallës: “Tani po nisemi” dhe “Lufta dhe arti” nga vepra “Kanjushë e verdhë”, gjegjësisht “Shenjat e shenjta” të cilat i ka deklamuar Liridonë Mehmeti, kurse Blendi Latifi ka deklamuar poezitë “Fluturojnë e bien” dhe “Letërftesë”, gjithashtu nga veprat e Jusuf Gërvallës.
Gjithashtu janë interpretuar edhe këngët e Jusuf Gërvallës “Kënga e bilbilit” – Adhurim Rasimi, “Maji” – Hekuran Bllaca, “Do të kthehem nënë” – Syarta Mehmeti, “Njeri ku je” – Mehmetali Arifi dhe “O bilbil ta bëra benë”, interpretuar nga Hekuran Bllaca dhe Adhurim Rasimi, të gjitha këto nën përkujdesjen artistike të Mehmetali Rexhepit dhe të shoqëruara nga Formacioni orkestral nga Trupa Artistike Muzikore nën dirigjimin e Mentor Latifit.
Aktivitetet e “Flakës së Janarit 2025” do të vazhdojnë me “Fest Flakën” dhe “Penën e Flakës”. /Telegrafi/