Sheiku i Katarit, Jassim bin Hamad Al Thani është zotuar se do ta kthejë Manchester Unitedin në “lavditë e tij të mëparshme” nëse e blen klubin anglez.
Familja Glazers e ka vendosur në shitje klubin nga Old Trafford dhe tashmë ka dy oferta serioze për blerjen e tij.
Sheikët e Katarit me në krye me Jassim bin Hamad Al Thani shihen si favorit përball miliarderit britanik, Sir Jim Ratcliffe.
Kryetari i bankës së Katarit QIB, Sheikh Jassim ka paraqitur një ofertë për gjigantët e Old Trafford përpara afatit të fundit sot (e premte) në orën 22:00.
Në një deklaratë, Sheikh Jassim paraqiti një plan për ta rikthyer Manchester Unitedin në majat e futbollit përmes një sërë hapash të ndryshëm.
Mediumi The Sun ka publikuar tashmë një plan pesë pikësh të Sheikh Jassim në lidhje me investimet e tij në rast blerje të Djajve të Kuq.
Sipas tyre, plani i parë i sheikut nga Katari është rindërtimi i stadiumit legjendar Old Trafford.
Pas tyre, ai mendon të vendos tifozët në zemër të klubit duke iu përmirësuar përvojën me klubin dhe ta shlyej gjithë borxhin e klubit.
Dy pikat tjera thuhet se janë investimi në ekipet e para të meshkujve dhe femrave, si dhe përmirësimi i qendrës stërvitore në Carrington. /Telegrafi/