FIFA pak çaste më parë njoftoi se ka vendosur sanksione të buta ndaj Rusisë shkaku i pushtimit ndaj Ukrainës.
Shtëpia e futbollit botëror vendosi që kombëtarja ruse të luante në një terren neutral, pa himn, pa tifozë dhe pa flamur në play-off-in e Kupës së Botës.
Por, nga presioni që po i bëhet nga Anglia, Polonia, Suedia dhe Republika Çeke – FIFA tha se do të zhvillohen bisedime me organizata të tjera sportive nëse Rusia duhet të përjashtohet nga garat.
“FIFA dëshiron të përsërisë dënimin e saj për përdorimin e forcës nga Rusia në pushtimin e Ukrainës”, potencoi organi qeverisës i futbollit botëror në një deklaratë të dielën.
“Dhuna nuk është kurrë një zgjidhje dhe FIFA shpreh solidaritetin e saj më të thellë për të gjithë njerëzit e prekur nga ajo që po ndodh në Ukrainë.
“FIFA do të vazhdojë dialogun e saj të vazhdueshëm me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, UEFA dhe organizata të tjera sportive për të përcaktuar çdo masë ose sanksion shtesë, duke përfshirë një përjashtim të mundshëm nga garat, që do të zbatohen në të ardhmen e afërt nëse situata nuk përmirësohet me shpejtësi.
“Mendimet e FIFA-s mbeten me të gjithë të prekurit nga kjo situatë tronditëse dhe shqetësuese”, thuhet më tej në njoftimin e tyre.
Kombëtaret e lartcekura po kërkojnë nga FIFA që Rusia të përjashtohet për disa vite nga aktivitet sportive shkaku i ndërhyrjes në Ukrainë. /Telegrafi/