Site icon Telegrafi

Nga organizimi deri te përfitimet financiare – Çfarë do të thotë për BNE nënshkrimi me organizatën Guild

Tashmë është bërë e ditur që ekipi i Bad News Eagles (BNE) është bërë pjesë e organizatës Guild, me bashkëpronar ish-futbollistin e famshëm David Bechkham.

Ky lajm padyshim shënon një rrugëtim të ri historik për djelmoshat nga Kosova, të cilët arritën të thyejnë çdo tabu duke mposhtur disa nga ekipet më të mira në CS:GO, ani pse nën përkujdesjen e tyre nuk kishte ndonjë organizatë.

Tani me fillimin e bashkëpunimit me Guild Esports të David Beckham, atyre nuk do t’iu mungojë mbështetja financiare.

Për këtë ka folur shkurtimisht edhe drejtuesi i XPortal Esports, Besnik Thaçi i cili tha se lojtarët e Bad News Eagles do të përfitojnë shumë nga ky bashkëpunim.

“Pas bashkangjitjes nën Guild Esports të David Beckham, lojtarët e Bad News Eagles do të përfitojnë nga financim i përmirësuar dhe konsistent, mundësi të reklamimit dhe branding-ut në bashkëpunim me markën e njohur të Beckham”, ka thënë fillimisht Thaçi.

Tutje, ai ka thënë se tani do të ketë trajnime dhe staf të shtuar që i dedikohet vetëm zhvillimit profesional të lojtarëve.

“Do të ketë trajnime, staf të shtuar dhe të dedikuar vetëm për ta, mundësi për pjesëmarrje në ngjarje dhe turne të mëdha, si dhe mundësi për sponzorime të reja nga kompani të mëdha, duke rritur kështu eksponencialisht edhe të ardhurat e tyre”.

Me këtë nënkuptohet se tani do të ketë një fiziolog që trajton edhe ekzaminon sëmundjet fizike, një psikolog që pëqendrohet në çrregullimet psikologjike dhe emocionale diçka shumë e nevojshme për lojtarët të cilët ndonjëherë kanë nevojë për këshilla se si të menaxhojnë stresin dhe presionin e lojës.

Përveç kësaj, një organizatë mund të përkujdeset që të skautojë talentë të rinj dhe t’i bëjë ata pjesë të ekipit, duke tentuar pra vazhdimisht ngritjen e nivelit të paraqitjes së ekipit.

Lexo po ashtu Guild nënshkruan me Bad News Eagles, tani ekipi nga Kosova ka dhe emër të ri

Për këtë kemi shembull akademinë e njërës nga ekipet më të mira të CS:GO, Natus Vincere që ka nisur projektin ‘Junior’ pjesë e së cilës janë edhe dy djem nga Kosova:  Aulon “Krabeni” Fazlija dhe Drin “Makazze” Shaqiri.

Përveç stafit mbështetës, një organizatë e ‘eSports’ ka edhe menaxherë të rrjeteve sociale, departament të marketingut etj.

Debutimi i tyre me organizatën e re do të vijë nesër (e mërkurë) në kuadër të “CCT 2023 Online Finals 4”, ku do të përballen me ekipin danez Preasy në kuadër të çerekfinaleve të këtij turneu./Telegrafi/

Exit mobile version