Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energjisë në Kosovë ka vendosur që për vitin 2016 të mbeten të njëjtat tarifa për konsumatorët shtëpiak dhe me strukturë të njëjtë tarifore, kurse për konsumatorë industrial e komercial ka vendosur të ketë ulje nga 7,17% deri në 8% ulje, duke u bazuar në kostot e shërbimit për këto kategori.
“Bordi i ZRRE ka vendosur që për vitin 2016 të ruajë të njëjtat tarifa për konsumatorët shtëpiak (familjarë) dhe të njëjtën strukturë tarifore, ndërsa ka vendosur ulje nga 7.17% deri në 8% të tarifave për konsumatorët industrial dhe komercial, bazuar në kostot e shërbimit për këto kategori të konsumatorëve”, thuhet në komunikatën e ZRRE-së, duke shtuar se kjo ulje e tarifave do të aplikohet për konsumatorët e kyçur në nivelin e tensionit 220, 110, 35, 10 kV dhe për konsumatorët e kyçur në nivelin e tensionit 0.4kV që i përkasin grupit tarifor të konsumatorëve komercial, transmeton Koha.net.
Ulja e tarifave për konsumatorët industrial dhe komercial, sipas ZRRE-së, ka ardhur si nevojë e fillimit të eliminimit të ndërsubvensionimit ndërmjet kategorive të konsumatorëve shtëpiak dhe jo shtëpiak.
“Bordi i ZRRE-së ka vendosur se tarifat e reja të energjisë elektrike do të hyjnë në fuqi me datë 01 prill 2016 dhe do të mbesin në fuqi deri me 31 mars 2017”, përfundon komunikata e ZRRE-së.