Site icon Telegrafi

Nga largimi prej Interit dhe refuzimi i Tottenhamit deri tek favoritët e Euro 2020 dhe puna e Inzaghit – Conte flet për të gjitha

Antonio Conte ka goditur përsëri Presidentin e Interit, Steven Zhang, duke thënë se projekti i tij kurrë nuk ka ndryshuar, teksa tregon se kalimi i tij te Tottenhami nuk dështoi për arsye ekonomike.

Taktiku italian fitoi titullin në Serie A me Interin para se të ndahej me Nerazzurrët. Zhang e kishte shpjeguar largimin e trajnerit duke thënë se pikëpamjet e tyre të ndryshme mbi atë situatë çuan drejt ndarjes.

Pas një pushimi të shkurtër me ish-trajnerin e Juventusit Andrea Pirlo në Ibiza, Conte, i cili është kthyer në Milano, u kundërpërgjigj Presidentit të Interit në një intervistë të lëshuar nga La Gazzetta dello Sport.

Lexo po ashtu Steven Zhang me një intervistë të gjatë – Flet për largimin e Contes dhe ardhjen e Inzaghit, situatën ekonomike dhe synimet e Interit

“Ajo që mund të them është se projekti im nuk ka ndryshuar kurrë, por do të ishte e pakuptimtë të diskutohet për këtë tani. Nuk dua të krijoj polemika ose të flas për transferime. Unë e respektoj Zhang dhe e falënderoj që më zgjodhi. E dua Interin, klubin dhe tifozët e tyre”, ka thënë fillimisht Conte.

“I uroj fatin më të mirë Simone Inzaghit sepse ai është një trajner shumë i talentuar dhe ambicioz, i uroj gjithë të mirat Nerazzurrëve”.

Ish-Presidenti i Interit, Massimo Moratti kishte qenë gjithashtu kritik ndaj Contes, duke thënë se atij i mungonte lidhja emocionale me klubin dhe gjithashtu dëshira për një sfidë.

“Nuk mund te mohoj se fjalët e tij më lanë të hidhëruar dhe të zhgënjyer. Moratti është i zgjuar dhe me klas dhe përfaqëson historinë e Interit së bashku me familjen e tij. Sidoqoftë, ne folëm në telefon dhe ai kërkoi falje sepse këto fjalë nuk reflektonin mendimet e tij reale”.

“Kush më njeh është i vetëdijshëm për lidhjen e fortë që kam për çdo skuadër që trajnoj. Unë jap gjithçka kudo që shkoj. Dikush largohet nga skuadrat dhe lojtarët ndihen të lodhur që i kanë dhënë të gjitha. Unë gjithmonë lë lojtarë të rinj dhe të përmirësuar dhe grupe të bashkuara me një mentalitet fitues”, shtoi 51-vjeçari.

Lexo po ashtu Moratti hedh paralele ndërmjet Contes dhe Mourinhos

Ish-tekniku i Juventusit dhe Chelseat gjithashtu bëri të qartë se ai kurrë nuk i ka bazuar vendimet e tij në para.

“Tregu përcakton çmimin, por sikur të isha fiksuar nga paratë, do të kisha qëndruar atje ku isha në të kaluarën. Unë do të kisha pranuar kompromise dhe të kisha marrë kontrata të reja”.

“Nga ana tjetër, unë kërkoj projekte dhe jam gati të qëndroj në shtëpi nëse diçka nuk më bind. Ka të bëjë me vizionin, ndershmërinë dhe parimet”.

Conte kishte qenë në bisedime me Tottenham pas largimit nga Interi. Edhe pse ai nuk u pyet posaçërisht në lidhje me negociatat me Spurs, 51-vjeçari shpjegoi pse ai refuzoi ofertat që nuk e bindën atë.

“Në përgjithësi, më pëlqejnë sfidat dhe kam pranuar shumë prej tyre gjatë karrierës time. Edhe klubi më i mirë që unë kam trajnuar nuk ishte kurrë favoritë kur arrita. Sidoqoftë, nëse ka diçka që nuk më bind, unë preferoj të mos pranoj pavarësisht parave”.

Lexo po ashtu Mësohet se përse dështoi marrëveshja e Contes me Tottenhamin

Conte gjithashtu komentoi Kampionatin Evropian 2020 i cila fillon nesër (e premte).

“Mancini është duke bërë një punë të jashtëzakonshme, ai krijoi një grup të madh dhe të bashkuar i cili nuk është i lehtë. Është grupi që rrit lojtarin e vetëm dhe talentin e tij. Lojtarët kryesorë nuk janë të mjaftueshëm për të fituar, përveç nëse ju quheni Pele ose Maradona”.

“Shpresoj se Italia mund të shkojë sa më larg që të jetë e mundur, pasi të kalojmë fazën e grupeve, na duhet edhe pak fat dhe gjithçka mund të ndodhë”.

Por, kush janë favoritët për të fituar Euro 2020?

“Franca dhe Gjermania janë në rreshtin e parë, pastaj Belgjika, Spanja, Portugalia dhe Anglia”, përfundoi trajneri italian. /Telegrafi/

Exit mobile version