Telegrafi

Nga kontrata 30 milionëshe, tek paga pesë euro në ditë – Mendy rrëfen tmerrin që po e përjeton në burg

Benjamin Mendy, i cili nënshkroi një kontratë gjashtëvjeçare me vlerë 30 milionë euro me Manchester City në vitin 2017, tha se e mësoi vlerën e parave duke fituar pesë euro në ditë në burg.

28-vjeçari, i cili mohon shtatë akuza për përdhunim kundër katër grave, një akuzë për tentativë përdhunimi dhe një akuzë për sulm seksual, aktualisht është në gjyq në Gjykatën Chester Croën pasi është lënë në paraburgim.

Duke u paraqitur në gjykatë të hënën (7 nëntor), Mendy deklaroi para gjyqit se koha e tij në burg ishte “hera e parë në jetën time që po punoja për diçka tjetër përveç futbollit”.

“Fitoja pesë euro çdo ditë, për t’i shpenzuar në mensë për të blerë ushqime. Është hera e parë që kam qenë shumë i kujdesshëm”, ka bërë të ditur ai.

“Jeta që kisha më parë, gjithçka që doja të kisha, thjesht e blej. Kështu që më mësoi vlerën e parave”.

Duke folur për kohën e tij në burg, ai shtoi: “Në të njëjtën kohë, isha i trishtuar, i mërzitur që hyra atje, por në të njëjtën kohë mësova shumë gjëra për jetën”.

Mendy gjithashtu i tha gjykatës se ai tani preferon të jetë vetëm. Gjithashtu në gjyq është edhe miku i Mendyt, Louis Saha Matturie, i cili dyshohet se ndihmoi në gjetjen e grave të reja për lojtarin. /Telegrafi/