Domenico Berardi u nervozua pas ndeshjes mes Sassuolos dhe Romës në fundjavën që shkoi dhe u përball dy herë me Jose Mourinhon përpara se të hynte në tunel.
Sipas Il Corriere dello Sport, reagimi i italianit u shkaktua nga një anëtar i stafit të Romës, i cili e akuzoi atë për simulim.
Pak minuta para përfundimit të ndeshjes, Berardi kishte një duel me Marash Kumbullën dhe u rrëzua përtokë nga dhimbjet, duke prekur fytyrën.
Mbrojtësi i Romës e akuzoi për reagim të tepruar dhe italiani u zëvendësua në pesë minutat e fundit. Berardi u përball për herë të parë me Jose Mourinhon teksa po shkonte drejt bankinës së Sassuolos.
Sipas Il Corriere dello Sport, Mourinho ndoshta i ka kërkuar 27-vjeçarit ‘më shumë sjellje sportive’.
#Berardi furioso e quel gesto verso la panchina della #Roma: la ricostruzione ⬇️ https://t.co/hc5o3gQhek
— Corriere dello Sport (@CorSport) February 14, 2022
Megjithatë, nuk ishte fundi i historisë pasi anësori iu afrua edhe një herë Mourinhos pas fishkëllimës së fundit. Këtë herë Special One ka tentuar të qetësojë Berardin.
Nuk ishte e lehtë pasi edhe trajneri i Sassuolos, Alessio Dionisi u përpoq ta largonte Berardin nga ish-trajneri i Interit dhe Manchester United, por përfundimisht arriti ta linte atë brenda tunelit duke shmangur pasoja të mëtejshme. /Telegrafi/