Telegrafi

Nga ‘djalosh i topave’ drejt majave të futbollit – Angel Gomes, talenti që pritet të nënshkruajë kontratë të majme me Unitedin

(Foto: Getty Images/Guliver/Instagram/angel.gomes10)

Angel Gomes ishte i destinuar për t’u bërë futbollist. Talenti i Manchester Unitedit ka marrë këshilla profesionale që nga fëmijëria dhe i ka shfrytëzuar ato për t’u inkuadruar në ekipin e parë të Djajve të Kuq.

19-vjeçari ka qenë një prej anëve pozitive të klubit anglez këtë sezon dhe raportohet se do të nënshkruajë kontratë të re të përmirësuar me Unitedin.

Babai i tij, Gil, ka luajtur në Zvicër, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Itali, ndërsa me Portugalinë U-21 e ka ftuar Kupën e Botës në vitin 1991. Kurse gjyshi tij e ka fituar katër herë Ligëne Premier, si edhe Ligën e Kampionëve dhe Kampionatin Evropian.

Gjatë karrierës si futbollist, babai i Gomes ishte shoqëruar me yllin e Manchester Unitedit, Luis Nani, i cili më vonë u bë kumbara i Angel në futboll.

“Ai (Nani) ka qenë i mrekullueshëm me mua dhe më ka dhënë shumë këshilla. Jam me fat që e kam pasur një person të tillë në jetën time. Kur isha më i vogël, ai ishte idhulli im”, kishte thënë Gomes për portugezin.

Cristiano Ronaldo, Angel Gomes dhe Nani (Foto: Instagram/angel.gomes10)

Angel iu bashkua Unitedit në moshën gjashtëvjeçare dhe ka qenë një prej talentëve më premtues. Në moshën 14 vjeçare, ai luante për ekipin U-17 dhe më vonë luajti edhe për U-18.

Një ish-‘djalosh i topave’, Gomes debutoi për ekipin e parë të Djajve të Kuq si zëvendësues në ndeshjen e fundit të sezonit 2016/2017, ndërsa asokohe ishte 16 vjeç e 263 ditë dhe u bë lojtari më i ri që luante për Unitedin që nga viti 1953. Për më shumë, ai u bë lojtar i parë i lindur në shekullin 21 që luante në Ligën Premier.

“Të arrish nga të qenit djalosh i topave dhe të inkuadrohesh në vend të Wayne Rooneyt, ishte e jashtëzakonshme. Çfarë lojtari për të zëvendësuar. Wayne Rooney është një legjendë e klubit… Ai më ka ndihmuar dhe më ka folur kur po hyja, prandaj ishte gjë e bukur”, ka thënë Gomes për atë ndeshje.

Angel Gomes dhe Wayne Rooney (Foto: Instagram/angel.gomes10)

Pesë muaj më vonë, sulmuesi ishte pjesë e ekipit të Anglisë U-17 që e fituan Kupën e Botës në Indi, ndërsa luajti si zëvendësues në finale.

Gjatë këtij sezoni, ai është bërë pjesë e rëndësishme e skuadrës së Ole Gunnar Solskjaer, ndërsa deri më tani ka regjistruar tri paraqitje. Ai luan kryesisht në ‘pozitën e dhjetëshit’, por mund të luajë edhe në anën e majtë apo të djathtë të sulmit.

Falë cilësive të tij, Barcelona dhe Paris Saint-Germaini po e monitorojnë nga afër situatën e lojtarit në Old Trafford. Ai ka kontratë me Unitedin deri në fund të sezonit të ardhshëm, prandaj klubi shpreson që ta bindë ta nënshkruajë kontratën e re. /Telegrafi/