Dëshira dhe ambicia për t’u bërë trajner i madh një ditë nuk i mungon. Kosovën e ka parë si vendin ideal për t’u ngritur në karrierë.
E për të ardhur deri këtu ka bërë mijëra kilometra, pasi që vjen nga shteti afrikan Botsuana. Ky është Cliffton Kelly, ndihmëstrajneri i Rilindjes, me ëndrra të mëdha.
“Dua të drejtoj një nga skuadrat e mëdha angleze ose një klub nga top pesë ligat e mëdha evropiane. Dua të jem i gatshëm që ndonjëherë të jem trajner në Europa League ose Champions League”, është shprehur ndihmëstrajneri i Rilindjes, Cliffton Kelly.
Mikpritja e njerëzve është një nga gjërat që i ka bërë më së shumti përshtypje në tokën dardane.
Teksa, ka filluar t’i mësojë edhe disa fjalë nga gjuha shqipe.
“Është shumë mirë, është sikur në shtëpi, më kanë mirëpritur shumë mirë. Jam i gatshëm t’i tregojë vlerat e mia si trajner, kam shumë ideja. Ndërsa gjithashtu janë duke më mësuar të flas shqip, mua më pëlqen të mësoj gjuhë të reja”, ka thënë Kelly për RTV Dukagjinin.
Agjenti i tij ishte bërë shkas që ai të vinte në Kosovë.
“Unë jam në Kosovë që tre muaj, duket mirë dhe më pëlqejnë shumë njerëzit këtu. Agjenti im më tha se do të ishte zgjedhje e mirë për karrierën tënde sepse futbolli këtu do të rritet shumë shpejtë”, është shprehur ndihmëstrajneri i Rilindjes, Cliffton Kelly.
Kelly kishte punuar si ndihmëstrajner edhe në nivelet e ulëta të futbollit anglez.