Telegrafi

Neymar u largua nga stadiumi sikurse Ronaldo para se të mbyllej ndeshja e PSG-së, ai u ndëshkua me karton të kuq dhe iku në shtëpi

Futbollisti brazilian Neymar u largua nga stadiumi i PSG-së para përfundimit të ndeshjes ndaj Strasburgut, ku mori një karton të kuq.

Mediat franceze shkruajnë se Neymar ka vendosur të largohet nga stadiumi i ‘Parkut të Princave’ edhe pse ndeshja nuk kishte përfunduar.

Braziliani po e vuan ende eliminimin nga Kroacia në gjysmëfinalen e Botërorit të Katarit dhe tani është rikthyer në klub ku ka marrë dy kartonë të verdhë dhe të kuq në ndeshjen kundër Strasburgut.

Ai “ia doli” ta bëjë këtë gjë në vetëm dy minuta.

Para se të përjashtohej, Neymar ishte në fushë duke pësuar goditje nga mbrojtësit e Strasburgut, të cilët ishin në hall me aftësitë e tij të driblimit, gjë që e bëri atë mjaft nervoz.

Futbollisti brazilian duhej të largohej nga fusha në minutën e 63-të kur rezultati ishte 1-1, por përfundimisht PSG fitoi me golin e Kylian Mbappe nga penalltia.

Megjithatë, Neymar nuk u ndal me kaq dhe u largua nga stadiumi para fishkëllimës të fundit të gjyqtarit.

Kjo të kujton lëvizjen e futbollistit portugez Cristiano Ronaldo, i cili u largua nga “Old Trafford” para përfundimit të ndeshjes mes Manchester United dhe Tottenham.

Kështu, ai nuk arriti të festonte fitoren me bashkëlojtarët e tij dhe më vonë dha një intervistë të diskutueshme dhe përfundimisht ndërpreu kontratën me Djajtë e Kuq. /Telegrafi/