Telegrafi

Neymar para përballjes me Dortmundin në Ligën e Kampionëve: Sancho është lojtar special

Neymar ka bërë të ditur se e pëlqen shumë Jadon Sanchon për mënyrën se si po luan te Borussia Dortmundi.

Ylli i Paris Saint-Germain ka thënë se anësori i skuadrës gjermane është një lojtar special, pasi ka shumë kualitete.

Dortmundi dhe parisienët do të përballen në kuadër të fazës së eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve, derisa 28-vjeçari deklaroi se do të jetë një takim për të mos e humbur.

“Ndeshja ndaj Dortmundit do të jetë padyshim e mrekullueshme për ata që e duan futbollin”, ka thënë Neymar.

“Borussia ka lojtarë që mund ta bëjnë dallimin. Jadon (Sancho) është një lojtar që më pëlqen shumë ta shikoj se si luan, një lojtar që ka shumë kualitete”.

“Dortmundi ka edhe lojtarë të tjerë të mirë. Por, ata kanë një lojtar special, që është i ri, shumë i mirë dhe emri i tij është Sancho”.

“Ai është një lojtar i talentuar. Të gjithë e dinë se do të jetë e vështirë për ne ndaj tyre. Ne shpresojmë që në ndeshjen e parë në udhëtim të marrim një rezultat të mirë me vete në Paris”, ka shtuar më tej braziliani.

Dortmundi dhe PSG do të takohen të martën në ora 21:00 në Signal Iduna Park. /Telegrafi/