Site icon Telegrafi

Neymar: Nuk e di se cilat janë planet e PSG, por dua të qëndroj në këtë ekip

Braziliani Neymar ka thënë se nuk është i njohur me planet e Paris Saint-Germain për të ardhmen e tij në klub, por se dëshiron të mbetet anëtar i kësaj skuadre dhe se dëshiron të luajë sërish në të njëjtën fanellë sezonin e ardhshëm.

Një sërë mediash franceze shkruan rreth 20 ditë më parë se drejtuesit e PSG-së e kaluan Neymarin jashtë planeve të klubit dhe se do të përpiqen t’i gjejnë atij një ambient të ri ku do të luajë sezonin e ardhshëm.

Por, që nga ajo kohë e deri më sot asgjë nuk ka ndryshuar dhe Neymar është ende anëtar i ekipit francez.

Lexo po ashtu Neymar u tha se iu ofrua Man Cityt, Guardiola sqaron të vërtetën

Kur u pyet nga një gazetar i AFP-së për të ardhmen e tij në PSG, Neymar tha se planet e tij janë të qarta.

“Dua të qëndroj në PSG. Askush nga klubi nuk më ka thënë asgjë për planet për të ardhmen time, domethënë se si janë gjërat”.

“Nuk e di se çfarë planesh kanë për mua, por e di që dua të qëndroj në klub”, ka thënë Neymar për AFP.

Lexo po ashtu Galtier dëshiron të mbajë Neymarin, por pranon se "ka shumë gjëra që nuk mund t'i kontrolloj".

Kujtojmë se Neymar ka luajtur 28 ndeshje për PSG-në sezonin e kaluar, ka shënuar 13 gola dhe ka pasur tetë asistime.

Braziliani, i cili mbërriti në Parc des Princes nga Barcelona në vitin 2017 si transferimi më i shtrenjtë në histori, nuk i përmbushi pritshmëritë, domethënë nuk e ndihmoi PSG-në të fitonte Ligën e Kampionëve, që ishte synimi kryesor kur francezët paguan 222 milionë euro për ta sjellë atë. /Telegrafi/

Exit mobile version