Brazili është ndalur në një barazim 1-1 nga Zvicra e futbollistëve shqiptarë.
Ekipi kombëtar i Brazilit ishte duke udhëhequr me golin e Philippe Coutinhos, por zviceranët barazuan me anë të Zbuer që u asistua nga Shaqiri.
Njëri nga lojtarët që u kritikua më së shumti ishte Neymar, për mos paraqitje të mirë.
Por ylli brazilian u ankua shumë se nuk u lejua nga lojtarët e Përfaqësueses së Zvicrës të luante lojën e tij.
Në takim ndaj Zvicrës, në numrin 10 të Brazilit u shkaktuan 10 ndërhyrje të palejueshme që ishte rekord që nga viti 1998.
Në Kampionatin Botëror Francë 98, në sulmuesin anglez Alen Shearer u bënë 11 ndërhyrje të palejueshme.
“Futbollistët e Zvicrës më goditën disa herë dhe kisha dhimbje, por nuk ka asgjë për t’u shqetësuar tani”, u shpreh Neymar pas ndeshjes.
“Pasi të ftohet trupi fillon t’i ndjesh më shumë dhimbjet, por besoj se gjithçka është mirë”.
Sulmuesi i Paris Saint Germain thotë se atij i takon të luajë futboll ndërsa gjyqtarët duhet të merren me ndërhyrjet ndaj tij.
“E imja është të luaj futboll, ndërsa gjyqtarët duhet të merren me ndërhyrjet ndaj meje”.
“Ndërhyrjet e palejueshme janë shumë normale por nëse ato bëhen të shumta atëherë duhet t’i kushtosh vëmendje”, përfundoi Neymar.
Në ndeshjen e ardhshme, Brazili i Neymarit do të përballet me Kosta Rikën. /Telegrafi/