Manchester United ka pësuar humbje të thellë në derbin e madh anglez nga Liverpoolii me rezultat 7-0.
Djajtë e Kuq janë turpëruar në Anfield, një rezultat që do të mbetet njollë e zezë në historinë e tyre.
Këtë humbje nuk po e kapërdinë lehtë as legjenda e Djajve të Kuq, Gary Neville që ka shpërthyer pas ndeshjes për mikrofonat e Sky Sports.
Neville e ka quajtur një turp të vërtetë paraqitjen e Djajve të Kuq, në veçanti ka folur për mesfushorin portugez Bruno Fernandes për të cilin ka thënë se ka pasur sjellje të papranueshme.
“Pjesa e dytë ishte një turp i vërtetë, një ekip i bërë copash, veçanërisht Bruno Fernandes, i cili ndonjëherë ishte i turpshëm”.
“Disa sjellje të tij në pjesën e dytë ishin të papranueshme, madje dukej sikur po ngrinte duart duke pyetur pse nuk e hoqën nga fusha”, deklaroi ish-mbrojtësi anglez.
Megjithatë ish-mbrojtësi anglez vazhdon të ketë besim të madh te trajneri Erik Ten Hag, duke thënë se shpreson në një rikthim të fuqishëm nga ish-skuadra e tij.
“Shpresoj se ishte thjesht një pasdite e keqe, besoj se Ten Hag do ta përballojë situatën dhe do ta kthejë shpejt në mënyrën më të mirë. E ka bërë në të kaluarën, por në këtë ndeshje u thyen si skuadër, lojtarët humbën mendjen dhe disiplinën”, deklaroi Neville. /Telegrafi/