Site icon Telegrafi

Reagimet e para izraelite pas lëshimit të urdhër arrestit ndërkombëtar kundër Netanyahut

Në përgjigjen e parë ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale, e cila lëshoi një urdhër për arrestimin e tij me akuza për krime lufte, zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu e përshkroi vendimin si “gënjeshtra absurde” dhe tha se vendimi ishte “anti-semitik”.

Zyra e liderit izraelit thotë se kundërshton kategorikisht pretendimet e bëra kundër kryeministrit izraelit.

Zyra e Netanyahut tha se vendi “nuk do të përkulet para presionit, nuk do të pengohet dhe nuk do të tërhiqet” derisa, tha, të arrihen të gjitha qëllimet e luftës të Izraelit.

Gjithashtu edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant mori gjithashtu një urdhër arresti, raporton aljazeera.

Kujtojmë se trupi gjykues prej tre anëtarësh në vendimin unanim për dhënien e urdhrit ka shkruar “paneli zbuloi se ka arsye të arsyeshme për të besuar se të dy individët me dashje dhe me vetëdije privuan popullsinë civile të Gazës nga sendet e nevojshme për mbijetesën e tyre, duke përfshirë ushqimin, ujin dhe ilaçet dhe furnizimet mjekësore, si dhe karburantin dhe energjinë elektrike”.

Në tetor të vitit 2023, dy ditë pas një sulmi të befasishëm nga Hamasi në Izraelin jugor që vrau rreth 1200 njerëz dhe çoi në kapjen dhe marrjen peng të rreth 250 njerëzve, Gallant tha “kam urdhëruar një rrethim të plotë të Rripit të Gazës. Nuk do të ketë energji elektrike, ushqim, ujë, karburant, gjithçka është e mbyllur. Ne po luftojmë kafshët njerëzore dhe po veprojmë në përputhje me rrethanat”.

Hamasi dhe grupet e tjera në Gaza ende besohet se mbajnë peng e rreth 100 personave, të paktën disa prej të cilëve janë vrarë. Autoritetet në Gaza, të udhëhequra nga Hamasi, thanë se numri i të vdekurve në fushatën ushtarake 13-mujore të Izraelit ishte më shumë se 40 mijë njerëz, megjithëse nuk ishte e mundur që gazetarët të verifikonin numrin e të vdekurve. /Telegrafi/

Exit mobile version