Kryeministri i Izraelit i ka kërkuar Kombeve të Bashkuara që të largojnë paqeruajtësit nga “zona e rrezikut” e Libanit.
Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) ka operuar në vend që nga viti 1978 pas një pushtimi nga Izraeli.
Në një apel të drejtpërdrejtë drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, Benjamin Netanyahu tha: “Refuzimi juaj për të evakuuar ushtarët e UNIFIL i bën ata pengje të Hezbollahut”.
“Është koha që ju të largoni UNIFIL nga bastionet e Hezbollahut dhe nga zonat e luftimit”, tha Netanyahu.
Ai tha se ushtria izraelite e ka bërë vazhdimisht kërkesën, por ajo është refuzuar, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
“Kjo i rrezikon ata dhe jetën e ushtarëve tanë”, shtoi lideri izraelit.
Netanyahu ndër tjera tha se Izraelit i vinte keq për lëndimet e shkaktuara ndaj paqeruajtësve dhe se po bënte “gjithçka” për të parandaluar që ata të lëndoheshin.
Por, ai shtoi: “Mënyra e thjeshtë dhe e qartë për të siguruar këtë është thjesht t’i nxjerrësh ata nga zona e rrezikut”.
“Sekretar i Përgjithshëm, largoni forcat UNIFIL nga rreziku. Kjo duhet të bëhet menjëherë, menjëherë”.
Ndryshe, pesë paqeruajtës janë plagosur gjatë konfliktit të Izraelit me Hezbollahun që nga e enjtja, me të paktën katër të lënduar.
UNIFIL aktualisht ka më shumë se 10,000 trupa nga 50 vende dhe rreth 800 staf civil.
Mandati i tij rinovohet çdo vit nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së prej 15 anëtarësh.
Paqeruajtësit kanë për detyrë të ruajnë qetësinë dhe të ulin tensionet përgjatë “vijës së kaltër ” që ndan Libanin nga Izraeli dhe Lartësitë Golan. /Telegrafi/