Site icon Telegrafi

“Nëse nuk jemi në tavolinën e bisedimeve me Serbinë, nuk garantohet implementimi i marrëveshjes”

Në tavolinën e dialogut me Serbinë, duhet të përfaqësohet edhe Lugina e Preshevës, përndryshe nuk garantohet implementimi i marrëveshjes.

Kështu thotë në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, derisa kërkon heqjen e taksës, meqë bizneset në Preshevë janë dëmtuar.

Kryetari i Komunës së Preshevës thotë se ndër vite ka munguar strategjia kombëtare për gjithë shqiptarët në rajon. Për këtë, Shqiprim Arifi po kritikon udhëheqësit e dy vendeve.

“Ato mosmarrëveshje që i kemi në spektrin politik shqiptar në Shqipëri e Kosovë, ato po reflektojnë tani tek ne. Duke u marrë me njëri-tjetrin po na harrojnë neve. E kjo është ajo kritika që unë e kam, spektri politik shqiptar-kosovar duhet të vetëdijesohet, duhet të lë anash ato subjektivitetet e tyre me njëri-tjetrin, duhet të fokusohet në një drejtim të caktuar strategjik kombëtar, dhe duhet pikë së pari të startojë me gjërat shumë të vogla”, thotë Arifi.

Sa i përket çështjes së taksës, Arifi për KosovaPress thotë se që nga vendosja e saj ka qenë kundër këtij vendimi, për shkak se ky nuk ka qenë një veprim ekonomik i duhur.

“Heqja e taksës është në të mirën e bizneseve tona në Preshevë. Për arsye se tashmë e kanë mundësinë pasi janë shkëputur më herët, nga vendimi i taksës me u kyç në tregun kosovar, i cili është i vetmi treg për neve në shërbim. Produktet tona fatkeqësisht nuk plasohen në Serbi, sepse nuk i pranojnë produktet tona, të shqiptarëve të Preshevës. Kështu që i vetmi treg për neve është Kosova. Në këtë drejtim çdo gjë e cila e ndihmon të vazhdojë dialogun, dhe na ndihmon neve është e mirëseardhur, është vendim që duhet të marrin tani”, deklaron Arifi.

E meqë pas heqjes së taksës, partitë në pushtet, LVV e LDK kanë premtuar vendosjen e reciprocitetit, Arifi porosit që ky reciprocitet të shërbej në të mirë të shqiptarëve të Luginës. Që të njëjtit të kenë të drejtat e njëjta si serbët në Kosovë.

“Reciprociteti nuk është vetëm me targa të kerreve, reciprociteti është me të drejtat e njeriut. Përderisa unë jam i shkelur në Preshevë, dhe përderisa jam i diskriminuar në Preshevë, nuk është reciprocitet kur e shoh në Kosovë një serb i cili pa kurrfarë vote mundet me i pas vendet e garantuara në parlament, me votën e tij mundet me u ndryshu edhe kushtetuta e vendit, ka ministri të caktuara që në start, ka drejtori të garantuara. Ne banorët e Luginës vetëm ëndërr i shohim ato”, shton Arifi.

Derisa vazhdon të përsëris që edhe Presheva të përfaqësohet në tavolinën e bisedimeve me ndërmjetësues Bashkimin Evropian, Shqiprim Arifi thotë se kërkesë do të jetë edhe bashkimi me Kosovën.

“Ne duhet të jemi në tryezë patjetër, e dyta është t’i diskutojmë kërkesat maksimale dhe minimale. Kërkesa maksimale e cila bazohet në referendumin e 92-tës është me qenë pjesë e Kosovës, këtë duhet ta diskutojmë, a mundemi, si dhe në çfarë forme. Ne kemi diskutuar tri kushtet tona me qenë pjesë e Kosovës, një mos parcializim i komunës së Preshevës, nuk mund të themi që një komunë apo dy shkojnë me Kosovën, dhe një komunë mbetet këtu, ne nuk duam me parcializu Luginën e Preshevës. Ose shkojmë në tërësi me Republikën e Kosovës, ose mbesim në tërësi ku jemi. Nuk duam shkëmbim të territoresh, për çka me dhënë veriun e Mitrovicës që është i yni, për me marrë diçka në Luginën e Preshevës, e cila është e jona, vetëm administrativisht jemi të ndarë, të dyjat janë tonat”, deklaron i pari i kësaj komune.

Në rast se nuk do të jenë në tavolinën e bisedimeve, Arifi deklaron se nuk do të garantohet implementimi i marrëveshjes së nënshkruar.

Ndër të tjera, ai shpreson që qeveria e re e formuar para një muaj, do të ketë parasysh të drejtat e banorëve të Preshevës.

“Secili e do Preshevën, por dashuria duhet të materializohet, unë këtë e kam kritikë nuk mjafton vetëm foto të bëjnë”, thotë ai. /Telegrafi/

Exit mobile version