Telegrafi

Nëse kriza financiare shndërrohet në krizë ekonomike, do të jetë keq edhe për Kosovën

Kriza financiare e disa shteteve të zhvilluara në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëse gjeneron në krizë ekonomike atëherë mund të ketë efekt negativ edhe në Kosovë. Por, si krizë që është e bankave dhe e kompanive të sigurimit, nuk mund të ketë kurfarë impakti në vendin tonë, thonë përfaqësuesit e bankave në Kosovë. Sistemi bankar në Kosovë është i një niveli të ultë të zhvillimit dhe kjo duket të jetë përparësi e Kosovës pse nuk mund të ndikohet dhe të pësojë kriza të njëjta sikur bankat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa shtete të Europës. Kështu u shprehen përfaqësuesit e bankave në lidhje më rrezikun e mundshëm.

Duhet kuptuar se kriza financiare që po i kaplon shtetet e zhvilluara është vetëm financiare dhe nuk është krizë ekonomike, deklaroi për radion tonë drejtori i Bankës Kombëtare Tregtare Spiro Brumbulli. Ai theksoi se rreziku mund të paraqitet nëse kjo krizë financiare gjeneron në krizë ekonomike ndërkombëtare. “Nëse kjo thellohet dhe prekë dhe sektorë të tjerë të ekonomisë, atëherë si pjesë e marrëdhënieve të tregtisë ndërkombëtare, sigurisht që efekte të tërthorta do të ketë. Le të themi se janë rreth 450 milionë euro që vijnë në vit nga emigrantët, të cilët janë në Zvicër, Itali, apo Gjermani, nëse punësimi i tyre vështirësohet, të ardhurat e tyre reale ulen si pasojë e krizës, atëherë ata do të kenë mundësi më pak që të dërgojnë në Kosovë dhe kjo mund të influencojë ato familje që jetojnë me këto të ardhura”, tha ai.

Brumbulli shprehet i sigurt se sot, sektori financiar në Kosovë nuk ka asnjë rrezik. Edhe Florin Lila, zëvendës-drejtor në bankën Pro-kredit, shprehet i sigurtë se krizat në tregjet ndërkombëtare, absolutisht nuk mund të kenë impakt në Kosovë, ngase sektori bankar në Kosovë është krejtësisht i pa-varur nga ato tregje. “Kriza financiare ndërkombëtare mund të them me plot përgjegjësi se nuk ka asnjë efekt qoftë negativ apo pozitiv në sistemin edhe në sektorin bankar në Kosovë. Nuk e them këtë vetëm për bankën tonë por e flas në përgjithësi në sektorin bankar në Kosovë, kriza financiare ndërkombëtare nuk ka asnjë efekt për arsye se sektori bankar në Kosovë ka qenë gjithmonë i ndarë dhe jo i ndikuar nga sistemi financiar ndërkombëtar” , thote Lila. Ekspertët e bankave shprehen se në SHBA kriza financiare është shfaqur nga kriza e kredive, me ç’rast për shkak të një sistemi mjaft liberal bankar, amerikanët kanë filluar të marrin kredi për blerje më shumë se që kanë siguruar të ardhura. Por, një rrezik i tillë sipas tyre nuk ekziston në Kosovë, ngase bankat japin kredi pas një analize të detajizuar të kredi-kërkuesit. /RTK/