Nëse dështon projekti për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, Kosova rrezikon t’i humb 19.7 milionë euro. Kështu ka bërë të ditur ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka gjatë raportimit në Komisionin për Zhvillim Ekonomik.
Sipas tij, edhe pse Banka Botërore, nuk e përkrah këtë projekt, termocentrali i ri do të ndërtohet.
“Ne presim që në pjesën e parë të vitit 2019, të filloj ndërtimi i Termocentralit ‘Kosova e Re’”. Banka Botërore nuk ka garantuar, por, termocentrali do të ndërtohet. Pas ndërprerjes se përkrahjes nga Banka Botërore ‘Contur Global’ ka filluar negociata me OPIK. Projekti ka filluar, është duke vazhduar në bazë të planifikimeve”, tha Lluka, shkruan Telegrafi.
“Blerja e energjisë, furnizimi me ujë furnizimi me thëngjill do të jenë 260 milionë euro. 19.7 milionë euro është kosto totale e dëmit nëse ky projekt nuk kalon”, tha Lluka.
Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se kosto për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” është shumë e lartë.
“Kosto për të cilën është zotu Qeveria e Kosovës është shumë e lartë. Ky koncept bazik qe e ka punuar qeveria është i gabueshëm. Kur shpërndahet kostoja e çmimit për energjinë elektrike do të jetë i papërballueshëm për Kosovën. Ne kemi pas problem me çmimin e energjisë vetëm me privatizimin e KEDS-it, kemi pas edhe protesta sepse normal e tejkaluar e çmimit të energjisë ka qenë e pa justifikueshme”, tha ai.
Dardan Sejdiu, nga PSD-ka kërkoi nga ministri që të tregohet se deri ku kanë shkuar punët sa i përket termocentralit.
Kurse Memli Krasniqi nga PDK-ja, ka thënë se nëse kompania kalon çmimin prej 80 euro për megavat Qeveria ka drejtë të shkëpusë kontratën. /Telegrafi/